Policia e shtetit urdhërohet të prangosë protestuesit e Mbrostarit, të cilët janë ngritur kundër projektit për ndërtimin e impiantit të mbetjeve, pranë shtëpive të tyre. Ndonëse manifestojnë këtë qëndrim prej disa javësh, autoritetet duket se kanë gjetur një formë tjetër për t’ju përgjigjur kërkesave të tyre.
Gjatë tubimit të fundit, 5 prej protestuesve kanë përfunduar pas hekurave, me pretendimin se kanë penguar një ditë më parë qarkullimin e automjeteve në aksin nacional Lushnje-Fier.
Në njoftimin zyrtar, blutë e Fierit sqarojnë se të arrestuarit akuzohen për “grumbullim të paligjshëm”, një vepër penale që u bë shkak për nisjen e proçedimit penal për A.G, 51 vjeç, G.V, 51 vjeç, Sh.V, 49 vjeç, S.T, 50 vjeç, si dhe G.M, 17 vjeç, të pestë banues në fshatin Mbrostar Ura, në Fier.
“Këta shtetas më datën 25.11.2016, ora 10:30, në aksin rrugor Lushnjë-Fier, në vendin e quajtur “Mbrostar Ura”, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë marrë pjesë në një grumbullim të paligjshëm duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit në rrugë nacionale”, thuhet në njoftimin e policisë së Fierit.
Banorët e njësisë administrative Mbrostar kanë vijaur me protestat e tyre, në kundërshtim me projektin e landfillit prej disa javësh. Banorët kanë bllokuar akset rrugore shpesh herë në shenjë proteste. Ata u kanë kërkuar autoriteteve vendore dhe atyre qëndrore që të tërheqin këtë projekt-vendim, pasi për ta përbën një kërcënim serioz për shëndetin e tyre. /tesheshi.com