Kreu demokrat Basha shpalli një 5-pikësh si plan për biznesin në këtë periudhë post-tërmetore, si kusht që ai të lehtësohet në inisiativat e tij e t’i vihet në ndihmë. Kjo, pasi një sërë takimesh me biznesin në Durrës.
“Sot inspektova disa prej sipërmarrjeve në Durrës.
Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Ndërprerja dhe reduktimi i aktivitetit ekonomik, dëmet në struktura, makineri dhe inventar, fatura financiare, pezullimi i punës nga një numër jo i vogël të punësuarish banesat e të cilëve janë shkatërruar apo dëmtuar rëndë; këto janë problemet kryesore me të cilat po ballafaqohet sipërmarrja.
Ndërkohë duhen paguar taksa, tarifa dhe fatura, kontratat me palët e treta, jashtë dhe brenda vendit mbartin detyrime kohore dhe financiare, sikundër bizneset përballen me pagesat e kësteve të kredive bankare”, theksoi Basha, duke shpallur:
- Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
2. Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
3. Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.
4. Përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
5. Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Gjithashtu i bëj thirrje sistemit bankar të riskedulojnë këstet e kredive në periudhën e rindërtimit për operatorët ekonomikë në zonat e prekura.
Kjo paketë e thjeshtë dhe realiste është ndihma më e mirë që mund ti jepet sipërmarrjes për rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në zonat e goditura. Nga kjo varen mijëra vende pune dhe të ardhurat e dhjetëra mijëra familjeve”, shpalli kryedemokrati.
Më parë, ai i propozoi qeverisë një plan 3-pikësh për kapërcimin e krizës post-tërmetore por që nga Rama iu tha se të vinte të ulej për ta diskutuar së bashku, gjë të cilën Basha e refuzoi. /tesheshi.com/