Kreu i Kadastrës, Artan Lame ptemtoi se deri në fund të këtij viti pritet që të mbyllet procesi i regjistrimit të tokave në bregdetin e Jugut.
Në dy prononcime televizive, Lame tha se kjo gjë do të ndodh pas 107 vitesh, që nga koha e pavarësisë së Shqipërisë.
“Nuk ka akuza për një rast të vetëm të tjetërsimit të regjistrimit. Këtë e them me krenari. Pardje u afishuan dy zona të reja në Lukovë. Nxirret harta e Lukovës, e përfunduar, nxirret lista e përfituesve dhe për 45 ditë kanë afat që të kontrollojnë provën dhe pas këtij afati përpunohen dhe lëshohen certifikatat. Kjo po vazhdon në të gjithë bregdetin e jugut. Besoj që nga fundi i vitit mbaron pas 107 vitesh pavarësi, regjistrimi i pronave në bregdetin e jugut”, tha kreu i Kadastrës shqiptare.
Duke u ndalur te ligji 7501, Lame tha se “Ligji 2020 zgjidhi një pjesë të mirë të të gjitha problematikave që kishte mbartur legjislacioni tjetër. Vjet u dhanë 18700 certifikata të tokës bujqësore. Ky ritëm duhet të vazhdojë që të mbyllet masa e regjistrimit të tokës bujqësore”. /tesheshi.com/