Nga: Blendi Gashi
Ajo është deputetja më e vjetër e Kuvendit të Kosovës. 66-vjeçarja Flora Brovina nuk ka për ta harruar kurrë seancën plenare të 8 tetorit. I ka ndodhur diçka me të cilën nuk është përballur më parë asnjë deputet kosovar.
Eshtë alivanosur në vendin e saj të punës, në sallën e Parlamentit! Hedhja e gazit lotsjellës nga opozita ka bërë që deputetja nga Skënderaj të dërgohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për t’u mjekuar pas tymit që kaploi sallën. Fatmirësisht, Brovina është në gjendje të mirë shëndetësore pas trajtimit në ambientet spitalore.
Deputetja Brovina ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë vitit 2014, kur ndodhi bllokada gjashtëmujore e Kuvendit pas krijimit të bllokut VLAN.
Pas ngërçit politik të krijuar, anëtarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, u obligua ta drejtojë seancën konstituive të Kuvendit, të 17 korrikut.
Ajo do të bënte me dije se mandatarin për kryeparlamentar të Kosovës do t’ia jepte fillimisht PDK-së, pasi deklaronte se procedurat qenë të qarta dhe posti i kryeparlamentarit i takonte partisë fituese të zgjedhjeve, e pikërisht PDK-së.
Mirëpo koalicioni LDK, AAK dhe Nisma pretendonte jo vetëm që ishte grupi më i madh parlamentar, por edhe se i kishte siguruar 61 votat për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, e kësisoj Flora Brovina, si drejtuese e seancës konstituive, nuk mund t’ia jepte mandatarin ndonjë partie tjetër.
VLAN-i e pati akuzuar Brovinën për shkelje të rregullores së Kuvendit, pasi po shpërfillte kërkesën e Bllokut për thirrjen e seancës së radhës.
Deputetja e PDK-së kish deklaruar më 16 prill se do të votonte kundër themelimit të Gjykatës Speciale, që do të merrej me pretendimet e Dick Mart-it për krime të UÇK-së.
“Vota ime në Kuvend për Tribunalin do të jetë kundër, ngase nuk mund të ngre dorë kundër UÇK-së,” kishte thënë Brovina.
Mirëpo, Flora nuk e mbajti fjalën. Në seancën e 23 prillit ndërroi mendje, dhe e dha votën e saj pro Speciales.
Brovina është një aktiviste e hershme në fushën e të drejtave të njeriut, dhe vazhdimisht ka luftuar në emër të popullit të saj.
Një mjeke dhe poete e shquar, më 12 prill 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, u rrëmbyer nga tetë oficerë policie të veshur civilë. Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova në qershor të atij viti, rreth dy mijë të burgosur shqiptarë të Kosovës, përfshirë Brovinën, u transferuan në burgjet e Serbisë.
Brovina pati kaluar 19 muaj në burg. Dënimi i saj me 12 vite, për “aktivitet terrorist të kryer gjatë gjendjes së luftës,” u anulua në verë nga Gjykata e Lartë Serbe.
Në të njëjtin vit, në një kohë kur ende nuk dihej fati i saj, ajo mori çmimin Tucholsky për vitin 1999 , “in absentia”, nga Pen Club-i suedez.
Brovina u lirua nga burgu në Serbi më 1 nëntor të vitit 2000. Ajo u ul në gjunjë dhe puthi tokën në momentin që hyri në territorin e Kosovës. /tesheshi.com/