Reforma në Drejtësi mund të vetënderohet, apo në të kundërtën të vetëdenoncohet si me implikime politike të njëanshme, e rrjedhimisht të turpërohet, edhe nga procesi delikat i ndjeshëm i zgjedhjes së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Ky proces ka pësuar një plagosje ditë më parë, pasi KED -Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, zgjodhi emrin e Artur Metanit si kandidat. Ky emër, i cili prej disa muajsh është në funksionin e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, pos që ka një implikim familjar me mazhorancën si vëlla i ish-ministres Englantina Gjermeni, ka kaluar dhe në shkelje të disa kritereve të përcaktuar për këtë post.
Më konkretisht, fjala është për nenin 147/d (3) të Kushtetutës, ku thuhet se: “Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, për një periudhë 9-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje, nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ai nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
Po ashtu, sipas nenit 199 të Ligjit per Qeverisjen, ku përcaktohen “Kushtet e emërimit” ndër të tjera sanksionohet se:
“Inspektor i Lartë i Drejtësisë mund të zgjidhet shtetasi shqiptar, që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte: dh) nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.”
E ndërkohë, z.Metani, siç informohet zyrtarisht,ka punuar “prej vitit 2002 deri më 2012, si këshilltar ligjor në kabinetin e Presidentit të Republikës, të Presidentit Meidani, Presidentit Moisiu dhe Presidentit Topi”, që do të thotë pra se ka mbajtur një funksion politik në administratën publike.
Ky rast e kompromenton rëndë këtë proces, pasi nëse një shkelje rezulton kaq e ashiqartë, kjo do të thotë se ai mund të jetë i paraparcaktuar për të mbajtur postin e lartë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili është një “Rojtar i plotëfuqishëm e ndëshkues” për të gjitha nivelet e drejtësisë.
Nga ana tjetër, Metani nuk pasqyron në karrierën e tij profesionale një emër autoritativ e më shkëlqim në sferën e drejtësisë. E përballë tij por dhe kandidatëve të tjerë, është emri i Klodian Rados. Me një karrierë të “pa asnjë cen” si gjyqtar e me një formim të niveleve më të larta akademike në jurispundencë, magjistër dhe i doktoruar në Kanada, ku si kulm të karrierës si jurist ka patur dhe intervistimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të këtij vendi, Klodian Rado përbën dhe testin e vërtetësisë morale të Reformës në Drejtësi.
I pastër nga çdo implikim politik, i pamundur për t’u kapur nga çdo tentativë politike për vetë staturën sociale me distancë të dukshme nga politika, me një formim brilant e karrierë po ashtu para zhvendosjes në Kanada për arsye formimi akademik, Klodian Rado do i jepte moralitetin e nevojshëm Reformës në Drejtësi, te i cili mishërohet jo thjesht “e reja” por dhe “e pastra”. A do të ndodhë kjo? Përzgjedhja e Artur Metanit e bën të vështirë një “Po”, por jo të pashpresë. Kjo, nëse indikacionet politike të Reformës nuk ndërgjegjësohen për një shqetësim ndërkombëtar afër saj, i cili nis që me kalimin e Donika Prelës në vetting, që më pas mund të gjenerojë në ndryshim kursi sa i përket mbështetjes ndaj qeverisë për këtë reformë. Sinjalet janë dhënë që me intervistën e fundit të Matthew Palmerit në VOA. /tesheshi.com/