Nga Bashkim Kastrati
Korrupsioni është një nga problemet më të mëdha me të cilat po ballafaqohet shteti i Kosovës. Kjo dukuri është e shtrirë në të gjitha poret e jetës së përditshme, por më e theksuar është në prokurimin publik. Dhënia e tenderëve, lidhja e kontratave dhe proceset tjera të prokurimit në nivel qendror dhe lokal, konsiderohen si potencialet më të mëdha të shpërfaqjes së korrupsionit.
Jo rrallëherë shihen zyrtarë të prokurimeve që vozitin makina supërluksoze, ndërsa pagat e tyre nuk janë aq të mëdha. Por këta zyrtarë janë që ia japin vulën proceseve tenderuese, ata mund të bëjnë favorizime, përshtatje të ofertave për disa kompani, apo edhe anulimin e tenderit.
Auditi në shumë raste evidenton shkelje të shumta në fushën e prokurimit nëpër ministri apo në komuna. Në vitin e kaluar auditi pati gjetur se Komuna e Prizrenit pati vendosur që ta blejë një veturë të përdorur, ndërsa tek kushtet që duhet plotësuar ofertuesi, komuna e kishte cekur se përveç vitit të prodhimit dhe karakteristikave tjera, aty është vënë kriter edhe se çfarë ngjyre duhet të ketë vetura dhe sa kilometra kilometër duhet që të ketë të kaluara! Kjo lënë të kuptohet se ai tender edhe pse i vogël duhet t’i jepej dikujt të parapërcaktuar.
Mbi 700 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës shpenzohen përmes prokurimit publik, fushë kjo e cila për vite me radhë në raportet vendore dhe ndërkombëtare, ishte konsideruar si burim i korrupsionit në vend.
Përfaqësues të shoqatave ekonomike dhe ekspertë të fushës e konsiderojnë alarmante nivelin e lartë të korrupsionit në fushën e prokurimit publik. Ata kërkojnë që të merren masa konkrete në reformimin e prokurimit publik dhe eliminimin e korrupsionit. Niveli i lartë i korrupsionit në fushën e prokurimit thonë ata ka dëmtuar buxhetin e vendit, bizneset dhe rrjedhimisht zhvillimin ekonomik të vendit.
Ndërkaq, kompani dhe biznese në Kosovë të cilat kanë qenë të afërta me politikën, janë favorizuar në prokurimin publik duke u krijuar kështu më pas një diskriminim dhe qasje selektive në ambientin biznesor në Kosovë. Zakonisht financuesit e partive politike marrin tenderë nga institucionet politike. Organizata Çohu! Ka publikuar një raport hulumtues ku rezulton se prej vitit 2007 deri në vitin 2014 vetëm në Ministrinë e Transportit dhe atë të Arsimit, financuesit e partive politike kanë marrë tenderë në vlerë 220 milionë euro.
Shpenzimi i parasë publike bëhet përmes proceseve të korruptuara
Ekonomisti Mustafë Kadriaj thotë se shpërfaqja e korrupsionit në prokurimin publik është karakteristikë e vendeve në tranzicion dhe se Kosova është duke kaluar një tranzicion të gjatë socio-ekonomik, i cili i ka edhe pasojat e veta.
“Disa nga duke e shfrytëzua aparatin e dobët shtetëror kanë zgjedhur rrugën më të shpejt për t’u pasuruar, por që nuk është ligjore dhe etike. Si rezultat i kësaj dukurie me një lulëzim të korrupsionit që nuk ka institucione që nuk e ka prekur, e sidomos prokurimin publik që është një çmim i pa shkruar minimum 10% i vlerës së tenderit për zyrtarët, si rezultat i kësaj raportet që na vijnë nga jashtë në vazhdimësi, Republikën e Kosovës e paraqesin jo mirë kur është fjala për korrupsionin”, thotë Kadriaj
Ai thotë se duhet të ketë së pari vullnet politik dhe forcim të sistemit gjyqësor për të luftuar korrupsionin në fushën e prokurimit, ndërsa konsideron se një element pozitiv për parandalimin e kësaj dukurie është edhe transparenca sa më e madhe gjatë procesit të tenderimit.
“Lind pyetja, ku është korrupsioni? Si të gjendet?, apo ndoshta ju hyjmë në hak zyrtarëve kur i akuzojmë? Po të ketë vullnet është e mundshme zbulimi dhe parandalimi: së pari cilësia e ekzekutimit të projekteve nga ana e kontraktuesve është nën kushtet teknike të parapara me projekt dhe kjo ndodh sepse përveç zyrtaret marrin miton kur të jepet tenderi ata edhe një herë marrin mito kur të pranohet projekti realizuar, së dyti si të gjendën të korruptuarit kjo kërkon vetëm vullnet, sepse është e mundur të ju bëhet auditimi financiar dhe material i pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme dhe identifikohen keqpërdoruesit e parasë publike”, theksoi Kadriaj.
Ai thotë se gjasat për ndryshim janë shumë të vogla dhe se drita në fund të tunelit pothuajse nuk shihet fare, përveç shoqërisë civile dhe disa mediave të pavarura , askush tjetër nuk e bën problem korrupsionin.
“Faktori ndërkombëtar, por edhe shoqëria civile e kanë konfirmuar dhe rikonfirmuar që ka korrupsion sidomos në prokurimin publik si në nivel qeveritar dhe në atë komunal. Pra organet kompetente nuk kanë çka të presin të kryejnë detyrat e tyre dhe zyrtarët e korruptuar të identifikohen me emër dhe mbiemër, të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Sot kemi zhvillim të dobët ekonomik, papunësi më të madhën në Evropë, por zyrtarët i kemi milionerë që çdo ditë po e ngulfatin ekonominë e varfër të Republikës së Kosovës”, u shpreh Kadriaj.
Ndërkaq, prokurimi elektronik në Kosovë në disa institucione ka filluar të zbatohet qysh nga viti i kaluar.
Në atë kohë, përfaqësitë e institucioneve ishin zotuar se përmes prokurimit elektronik, do të shtohet transparenca dhe konkurrenca në procesin e prokurimit, do të ndikohet në uljen e çmimeve, dhe në kursimin e parasë publike, si dhe në cilësinë më të mirë të projekteve, të cilat financohen me paranë publike.
Ligji i prokurimit publik është miratuar në vitin 2003 dhe deri më tani ky ligj ka pësuar më shumë se pesë herë ndryshime. Ndryshimet e fundit të këtij ligji ishin bërë në vitin 2015. /tesheshi.com/