Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u dha mandatin e deputetit edhe pesë kandidatëve të tjerë nga listat e PD-së dhe LSI-së, duke e çuar në 9 numrin e kandidatëve nga listat e partive opozitare, pas katërshes së pak ditëve më parë nga LSI.
Kështu Majlinda Halilaj zëvendësoi Lulzim Bashën.
Kjo pas propozimit nga Denar Biba i cili kërkoi që zëvendësimet të bëheshin nga numri 1 i listës. Pasi u hodh në votim KQZ miratoi me 4 vota praktikën. Kundër këtij propozimi votoi vetëm kryetari Zguri.
Nga qarku i Beratit, Lefter Maliqi mori mandatin e Astrit Velisë të PD-së
Nga qarku i Lezhës, Elda Hoti mori mandatin e lënë nga Viktor Tushaj të LSI-së.
Në Durrës mandatin e Nora Malaj e mori Edlira Hyseni.
Në Gjirokastër, në vend të Vangjel Tavos e merr Ediola Braha.
KQZ shtyu dhënien e mandatit për Ligorak Karamelon i cili do zëvendësonte Klevis Balliun në Korçë.
Ndërkohë, nga Kukësi demokrati Alban Zeneli ka shprehur gadishmërinë për të marrë mandatin.
Në këtë situatë, opozita po zëvëndësohet dalangadalë me të tjerë emra, të cilët, të pandikuar nga verdikti politik i partive në listat e së cilës gjenden, po shfrytëzojnë momentin për t’u futur në parlament, nisur dhe nga interesi ndoshta një rroge sot dhe i një pensioni nesër.
KQZ thjesht po ndjek procedurat ligjore, ndërsa opozita, ajo që tashmë ka zgjedhur ta bëjë politikën nga rruga, e konsideron atë që po instalohet në parlament si jo legjitime. Kjo politikisht, pasi ligjërisht është në rregull. /tesheshi.com/