Prishtina zyrtare është përfshirë në një përplasje verbale së fundi me Brukselin, pas një reagimi të Borrell-it mbi arrestimin e një eksponenti criminal serb në veri, nga Policia e Kosovës.
Borrell e ka lexuar arrestimin në fjalë si një përshkallëzim tensioni, duke e parë vetëm politikisht, pa u marrë fare me aspektin penal.
Dhe në fakt kjo është zgjedhja e Perëndimit mbi zhvillimet në veri: leximi politik e jo ligjor.
U shfaq kjo me kundërshtimin e asaj që bëri Prishtina: futjen e kryekomunarëve të rinj në institucionet përkatëse, edhe pse më parë njohu zgjedhjet në veri pavarësisht bojkotit serb.
“A po bën thirrje BE-ja për mosndëshkim për ata që sulmuan NATO-n? Policia ka prova të qarta se personi i arrestuar sot ka marrë pjesë në sulmin kundër NATO-s më 29 maj. Arrestimi është bërë në bazë të nenit 71 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kështu që nuk ka asgjë të paligjshme”, ishte mesazhi i kryediplomates së Kosovës Donika Gërvalla ndaj Borrell-it.
Më herët, mesazh të ngjashëm përcolli dhe Kurti. “Bazuar në provat e shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor, Policia ka arrestuar një person në Mitrovicë për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR në Zveçan më 29 maj”.
Kjo frazë sqaruese e Kurtit ishte pas një më të hidhure ndaj kryediplomatit të BE-së. “Përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme vetëm ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t’i përshkallëzojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutemi konfirmoni burimet tuaja dhe prisni informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve”, ishin fjalët e Kurtit ndaj Borrell-it, pasi ky i fundit foli për rreziqe të shtuara në veri si pasojë e një tjetër arrestimi. /tesheshi.com/