Zgjedhjet e së dielës në Kosovë kaluan pa trazira e parregullsi, e megjithatë, pakënaqësitë nga ana e partive politike po nis të dalin në publik.
Zëdhënësi i Lidhjes Demokrate të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se nevojitet një rinumërim i votave në nivel vendi. Në një prononcim për Klan Kosova, ai ka thënë se një rinumërim është i domosdoshëm, duke shtuar se ka pasur probleme në regjistrim dhe raportim gjatë procesit zgjedhor.
“Rinumërimi i votave është kërkesë e jona. Kjo për shkak se vet KQZ-ja ka dalë me raportim se ka pasur probleme në regjistrim të votave. Në momentin që ke probleme në regjistrim dhe raportim, natyrisht që ne kërkojmë rinumërim në nivel vendi”.
Mustafa i cili njëherit është edhe kandidat për deputet, ka bërë të ditur se sot paradite ky subjekt politik e ka dërguar ankesën në KQZ. /tesheshi.com/