Muhammed bin Selman, zëvendësprinci i kurorës, e njëkohësisht ministri i Mbrojtjes në qeverinë saudite, ka dhënë një intervistë të gjatë për revistën The Economist, e cila është botuar dje.
Në të ai e përjashton përplasjen ushtarake me Iranin, duke e cilësuar atë si katastrofike për rajonin nëse do të ndodhte. Sipas tij, Arabia Saudite nuk planifikon të nisë një luftë me Iranin.
“Eshtë diçka që ne nuk e parashohim fare, dhe kushdo që po nxit drejt saj është dikush që nuk i ka trutë në rregull. Sepse një luftë midis Arabisë Saudite dhe Iranit është fillimi i një katastrofe të madhe në rajon. Sigurisht që nuk do ta lejojmë diçka të tillë.”
I pyetur për ekzekutimet e javës së shkuar, e posaçërisht për ekzekutimin e një kleriku shiit të spikatur, siç e përshkruan The Economist në pyetjen e vet, Muhammed bin Selman është përgjigjur:
“Së pari, këta u dënuan në një gjykatë me akuza që kishin të bënin me terrorizmin, dhe ata kaluan nëpër tre nivelet e procedimit gjyqësor… Dhe gjykata nuk bëri fare ndonjë dallim në një person ishte shiit apo sunnit.”
Më pas princi ka dhënë përgjigje për reagimet e dhunshme në Iran, e për rrjedhojat e këtij përshkallëzimi të tensioneve rajonale.
“Ne e shohim si diçka të çuditshme që të ketë manifestime kundër Arabisë Saudite në Iran. Cila është lidhja mes një qytetari saudit që bëri një krim në Arabinë Saudite, e një vendimi të dhënë nga një gjykatë saudite. Ç’ka të bëjë kjo me Iranin? Nëse kjo provon diçka, provon se Irani kërkon ta shtrijë ndikimin e vet në vendet e rajonit.”
Pyetjes nëse Arabia Saudite e konsideron Iranin të jetë armiku i saj më i madh, princi i është përgjigjur shkurt: “Shpresojmë që jo!”
Konflikti është thelluar më tepër me pretendimet e Iranit se Arabia Saudite ka bombarduar ambasadën e tij në kryeqytetin e Jemenit. Por raportimet nga terreni nuk flasin për shenja të dukshme dëmtimesh.
Siç njofton Al Jazeera, banorët dhe dëshmitarët në Sana thonë se nuk ka dëmtime në ndërtesën e ambasadës. Ata tregojnë për një sulm ajror që kishte goditur një shesh publik 700 metra më tutje ambasadës, e për gurë e copa predhash që kanë përfunduar në oborrin e saj. Irani ka lajmëruar se do ta dorëzojë në OKB raportin zyrtar për sulmin e pretenduar. /tesheshi.com/