Duke prezantuar Paktin për Universitetin para një auditori me studentë e pedagogë, kryeministri Rama e ka kapur me këta të fundit. “Nuk më merrni për budalla”, ka qenë një prej frazave të shefit të qeverisë, gjatë kritikave të tij mbi rolin e tyre karshi studentëve.
“Ligji për Arsimin e lartë iu bën përgjegjës ju, dhe këto përgjegjësi po i merr përsipër qeveria. E marrim përsipër sepse janë fëmijët tanë dhe nuk i lejojmë që të bëhen top ping-pongu. Ju kërkoni liri por nuk doni të merrni përgjegjësi. Ne e dimë se çfarë duan studentët dhe do t’i bëjmë një për një. Mos të vijë dita që unë të bashkohem me studentët… Do mbarojë historia me doktorët e shkencave që vetëm me shkencat nuk kanë lidhje? Studentët e bënë të tyren, e ngritën zërin, ne i dëgjuam. Nuk e di sa kanë dëgjuar universitetet, nuk dua të flas, kjo shfaqje me shumë fytyra duhet të mbarojë një orë e më parë. Presione me qeverinë nuk ka, duke u fshehur, duke mos shkuar në mësim. Parimisht duam apo s’duam. Duam? Okej, tani bëni propozimet. Qeveria nuk ka punë të bëjë vetting akademik. Me ligjin e arsimit të lartë duhet ta kishit bërë. Nuk duam polemika dhe asnjë konflikt. Për budalla njeri mua nuk më bën dot. Kaq!,”- tha Rama.
I pari i qeverisë pati sërish debate me studentë, ku njërës prej tyre u përpoq t’i sqaronte sistemin ku jetonte, pasi ajo u shpreh se ndihej e pasigurt për të ardhmen.
“Zemra ime, kur në moshën tënde studentët kanë dalë për të përmbysur regjimin bashkë me popullin, bënë një zgjedhje të qartë: që të mos kemi asgjë të sigurt, por të luftojmë të gjithë bashkë që e ardhmja të jetë sa më e sigurt. Nuk ka gjëra të sigurt në sistemin që kemi zgjedhur, por konkurrencë dhe meritë. Kemi zgjedhur të jetojmë në demokraci. Këtë pyetje e kemi zgjidhur në vitin 1990. Kemi zgjedhur një sistem që prezumtohet se kush qeveris nuk i di të gjitha, deri në 1990 shteti i dinte të gjitha dhe njerëzit nuk kishin pyetje. Ndërsa sistemi që kemi zgjedhur është i pyetje. Kështu në këtë sistem ti je po kaq e rëndësishme sa unë. Nuk do të biem dakord për të gjithë, diku do të biem dhe diku jo”,theksoi Rama.
Pakti për Universitetin u prezantua si qeveri, ku çdo ministër shpalosi përgjegjësitë e veta në emër të dikasterit. /tesheshi.com/