Kryeministri Rama prezantoi projektin e areoportit të ri të Vlorës, i cili siç tha, nis ndërtimin në pranverën e vitit që vjen.
Por ky areoport, do startojë sipas variantit “me forcat tona”, pasi për momentin nuk ka ndonë kompani fituese.
“Akoma jemi në një proces të diskutimit të brendshëm për mënyrën se si do të procedojmë. Tani kemi dhe opsionin e përfshirjes së një kompanie të huaj dhe operimin e saj, por edhe për ta filluar vetë ndërtimin për të mos vonuar. Kemi përcaktuar vetë një shumë për fillim, për të filluar një garë me kompani të specializuara”, tha Rama.
Po pse nuk funksionoi ideja e ndërtimit nga turqit, të cilët, ishin ndër të tjera dhe inisiatorët e Air Albania-s, tashmë realitet?
“Përpkjekja e parë u bë si rezultat i një gadishmërie nga ana e qeverisë turke për të na ndihmuar, jo për arsye komerciale, por për të na dhënë një dorë që ne ta ndërtonim, por pas disa negociatash kuptuam që nuk kishim pika të përbashkëta”, theksoi shefi i qeveris, i cili më pas renditi shifra vizitueshmërie turistike në rritje, duke lënë të kuptuar se ka patur një drojë të turqve për mosplotësim të kapaciteteve me prurje pasagjerësh.
“Nga janari në gusht kanë hyrë 4 mln e 850 mijë të huaj që është një shifër shumë më e lartë se shifra e 3-4 viteve më para, vetëm në verë janë 3.4 milion. Në 5 vjet kemi dyfishuar numrin e vizitorëve të huaj në Shqipëri, kjo ka ndikuar tek ata që janë të interesuar që të zhvillojnë infrastrukturën e mikpritjes, si në hoteleri nga kompani të rëndësishme të huaja, ashtu si kundër edhe nga disa kërkesa mbresëlënëse që shpresojmë që të arrijmë marrëveshje për disa sektorë të mëdha të turizmit”, tha Rama, që si garanci suksesi dha Air Albania-n e bashkëpunimit me turqit.
“Pranverën e viti 2020 fillon puna në kantier. Me kompaninë tonë ajrore që dhe ajo mori kohën e saj për t’u vënë në vijë dhe për të filluar fluturime, tmerri i biletave të shtrenjta të marrë fund një herë e mirë. Duhet pak durim dhe kohë në planin afat-mesëm. Sistemi i çmimeve do të normalizohet, se me ndërtimin e Aeroportit të Kukësit dhe Vlorës, do të ketë më shumë zgjedhje dhe mundësi”, theksoi i pari i qeverisë.
Risi e areportit të Vlorës do jetë dhe futja për herë të parë e shërbimit kargo. Kjo do të thotë që shumë prodhime bujqësore të Shqipërisë së Mesme e të Jugut, ta kenë më të lehtë transportin drejt vendeve eksportuese. /tesheshi.com/