Prevalla është një ndër vendet më piktoreske që ka Kosova. Ky vend malor gjendet 28 kilometra larg Prizrenit. Edhe pse Kosovën këto ditë e kishte përfshirë një mjegull e madhe, Prevalla i kishte shpëtuar kësaj mjegulle, atje kishe rreze dielli gjatë gjithë ditës dhe nuk shihej askund mjegulla.
Prevalla ka bjeshkë dhe male të bukura si dhe një lum me shkëmbinj të mëdhenj ku turistët kanë mundësi të shohin bukuri natyrore nga me të ndryshmet. Atje kishte mbetur ende borë dhe një pjesë e vizitorëve e shfrytëzonin për të skijuar. Por në këtë vend nuk është investuar në infrastrukturën e skijimit, edhe pse ka pozita mjaft të mira për këtë gjë.
Ekipi i tesheshi.com ka qëndruar në këtë vend turistik për të parë vendin dhe për të marrë përshtypjet e vizitorëve.
Rruga nga Prizreni e deri në Prevallë është e asfaltuar mirë, por është edhe e veçantë pasi që në të dy anët e rrugës ka bjeshkë të bukura dhe shkëmbinj të mëdhenj që i japin asaj pjesë një pamje përrallore.
Ky fshat turistik tashmë numëron me qindra shtëpi malore, hotele dhe motele. Çmimet e banimit për turistë janë të ndryshme varësisht nga hoteli/moteli por variojnë nga 20 deri në 50 euro.
Ku vend ka qindra hektarë me pyje, por në disa vende shihet se ka prerje ilegale të pyjeve gjë që është shumë e dëmshme për këtë vend piktoresk.
Në malet e Prevallës ka kafshë të ndryshme të egra, dhe gjurmët e tyre mund të shiheshin në borë. Ndërsa pas gjurmëve shkonin një ekip prej gjashtë gjuetarëve, të cilët gjuajnë rregullisht në këto male.
Vizitorët shprehen të kënaqur me bukuritë natyrore të Prevallës, por edhe me çmimet e akomodimit, ata thonë se ia vlen që të vizitohet ky vend, ku ofrohen mundësi të shumta të relaksimit në natyrë.
“Është një vend i mrekullueshëm, ka male të bukura dhe bjeshkë shumë të mëdha, e shihni se ende ka borë edhe në këto kodrat, por edhe në bjeshkë lartë. Ky vend të qetëson dhe relakson. Çmimet janë të arsyeshme, nuk janë aq shtrenjtë, unë jam i akomoduar në një motel ku nata kushton 20 euro përfshirë edhe mëngjesin, por pronari më tha që nëse qëndron më shumë se tri ditë, çmimi zbritet deri në 15 euro”, thotë Bedriu, i cili kishte ardhur nga Prishtina për të kaluar disa ditë në Prevallë bashkë me familjen.
Gjithashtu edhe Jetoni shprehet i kënaqur me mundësitë që ofron Prevalla, ai thotë se ky vend ka nevojë edhe për disa investime në mënyrë që të tërheqë sa më shumë vizitorë.
“Këtu jam qe dy ditë, është hera e parë që e vizitojë këtë vend dhe mund të them që është vend shum fantastikë. Kam marrë edhe saja me vete dhe fëmijët po kënaqën duke rrëshqitur në borë. Këtu nevojitën disa investime nga shteti që të bëhet një qendër e mirë e skijimit, pasi që ka vende shumë të përshtatshme për këtë gjë. Gjithashtu edhe verës do të vijë gjithsesi sepse ia vlen”, thotë ai.
Stina e verës sjellë më shumë vizitorë
Prevalla është më e vizituar verës sesa dimrit, përjashto këtu festat e fundvitit, ku një numër i konsiderueshëm i njerëzve shkojnë për të festuar festat në këtë vend malor.
Pronarët e moteleve dhe të dyqaneve thonë se gjatë verës çdo ditë ka qindra vizitorë dhe ky vend ka një dinamikë shumë të madhe e rrjedhimisht edhe përfitime për këto biznese që veprojnë atje.
“Po, gjatë dimrit zakonisht nuk ka shumë vizitorë, tash që është Viti i Ri pritet që të vijnë një grup vizitorësh, ka edhe vizitorë në këto ditë që kanë ardhur nga vendet e Evropës. Ja për shembull sot kam bërë shitje vetëm 20 euro, kurse gjatë një ditë të verës shes deri në 250 euro brenda një ditë”, thotë njëri nga pronarët e një dyqani të vogël.
Fshati turistik i Prevallës me shtëpi betoni!
Që nga mbarimi i luftës në Prevallë janë ndërtuar shumë objekte dhe vila të ndryshme nga politikanë e biznesmenë, ndër to një pjesë e madhe janë pa leje dhe për këtë arsye ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor pati marrë vendim për rrëzimin e disa objekteve, por pas mbarimit të mandatit të tij, ky proces ka ngecur.
Një sipërfaqe prej 27 hektarësh e fshatit Prevallë kishte nisur para nëntë vitesh të shndërrohej në qendër turistike. Komuna e Prizrenit e nisi projektin e urbanizimit të zonës, por tash, dhjetë vjet më vonë, zyrtarë të lartë të saj ankohen se politikanët erdhën, ndërtuan pa plan dhe shkatërruan projektin për qendrën turistike.
Planifikoheshin 360 vila në atë zonë. Një numër prej 35 syresh planifikonte t’i ndërtonte vetë komuna, që pastaj t’i jepte në shfrytëzim, ndërsa 315 vila planifikoheshin të ndërtoheshin nga personat privatë.
Tani atje janë mbi 100 vila të ndërtuara, por 90 prej tyre vlerësohet se u ngritën në mospërputhje me planin urbanistik të paraparë nga Komuna e Prizrenit si dhe me udhëzimin dhe ligjin që rregullon mbrojtjen e mjedisit.
Në vend të ndërtimeve prej druri, në fshatin Prevallë janë ndërtuar objekte prej betoni dhe materialeve të tjera të forta. Autoritetet nuk janë në gjendje t’i ndalin hovin këtyre ndërtimeve të egra
Prevalla ishte paraparë të shndërrohej në një fshat turistik, me ndërime njëkatëshe prej druri, por aty janë ngritur godina disakatëshe prej betoni dhe materialeve të tjera të forta.
Komuna e Prizrenit pati filluar dhënien e lejeve ndërtimore ka qenë dashur t’i përshtatet lokacionit malor të Prevallës vetëm baza të jetë prej betoni, kurse objektet të jenë njëkatëshe dhe të ndërtohen me materiale kryesisht prej druri.
Prej objekteve të ndërtuara në të ashtuquajturin “fshatin turistik” Prevallë, vetëm gjashtë prej tyre i janë përmbajtur planit urbanistik, kurse të gjitha objektet e tjera kanë tejkaluar planet. Objektet janë ndërtuar dhe po vazhdojnë të ndërtohen pa respektimin e lejeve të ndërtimit, të dhëna nga Drejtoria për urbanizëm e planifikim hapësinor në Prizren kështu që në Prevallë është krijuar kaos urbanistik dhe degradim i ambientit jetësor. /tesheshi.com/