Dilma Rousseff, presidentja braziliane e pezulluar nga detyra dhe e akuzuar për manipulim të buxhetit, është paraqitur sot para senatit të vendit, duke deklaruar se nuk ka kryer asnjë krim të dënueshëm.
Ajo është mbrojtur para senatorëve, që përgatiten të votojnë për largimin e saj nga posti presidencial.
“Qeveria ime ka bërë gabime, por kurrë nuk i tradhtoi votuesit. Nuk i kam kryer krimet për të cilat jam akuzuar në mënyrë të padrejtë dhe arbitrare,” u ka thënë ajo senatorëve.
Ajo ka ripërsëritur se procesi gjyqësor ndaj saj është një grusht shteti. “Nuk ka justifikim për largimin tim nga pushteti. Jam e pafajshme, jam një person i ndershëm, dhe nuk kam kryer kurrë një krim.”
Rousseff akuzohet të ketë marrë hua shtetërore të paligjshme për të mbushur gropat e buxhetit. Diskutimet do të nisin pas dhënies së dëshmisë prej saj, për të vijuar më pas me votimin, që mbase mund të shtyhet gjer të mërkurën. Kundërshtarët e presidentes së pezulluar janë të bindur se do ta arrijnë lehtësisht shumicën e dy të tretave, që do të thotë, do t’i sigurojnë lehtësisht votat e 54 prej 81 senatorëve, për ta larguar atë nga detyra.
Kur arriti në senat, Dilma Rousseff u prit nga një mori mbështetësish, ndërkohë që shoqërohej nga shumë ish-anëtarë të kabinetit dhe nga ish-presidenti Luiz Inacio Lula da Silva.
Rousseff u ka kujtuar senatorëve se është rizgjedhur në vitin 2014 me votën e më shumë se 54 milionë votuesve. “Kam ndjekur kushtetutën në çdo moment,” ka thënë ajo, “dhe kam bërë më të mirën për vendin.” /tesheshi.com/