Rexhep Tajjip Erdogan ka folur për programin “60 Minutes”, një intervistë që do të transmetohet të dielën në rrjetin televiziv amerikan CBS.
Nga intervista e kryetarit të shtetit turk është mësuar se ai ndjehet i zhgënjyer me politikat amerikane të administratës në ikje.
Ai e ka kritikuar SHBA-në për dhënien strehim Fethullah Gylenit, personit të bërë përgjegjës për grushtin e dështuar të shtetit më 15 korrik të këtij viti në Turqi.
Zhgënjimi i Erdoganit ka ardhur gjithashtu nga dështimi i SHBA-së për t’i marrë seriozisht kërcënimet me të cilat përballet Turqia, përfshirë luftën në Siri dhe vërshimin e refugjatëve.
“I kemi bërë të njohura këto çështje. I kemi diskutuar me presidentin Obama dhe me zëvendëspresidentin Biden. Ata kanë dështuar që të jenë në lartësinë e duhur dhe t’i trajtojnë këto çështje seriozisht. Kjo është shumë shqetësuese për ne,” mësohet të ketë thënë Erdogani.
“Le të jem i hapur në komentet e mia. Jam i njohur për sinqeritetin tim. Nuk do të thoja të vërtetën nëse do të shprehesha se nuk jam i zhgënjyer. Sepse jam i zhgënjyer!”, thuhet në raportimet e sotme të jetë shprehur Erdogani.
Duke iu referuar grushtit të dështuar të shtetit dhe Gylenit, fjalët e Erdoganit kanë qenë këto: “Unë nuk po fajësoj SHBA-në. Por kjo është çfarë mendon populli im. Pse e mbani ende këtë njeri?”
Hollësi të tjera të intervistës së presidentit turk priten të mësohen me t’u transmetuar ajo. /tesheshi.com/