E përditshmja sportive spanjolle Marca ka zhvilluar një intervistë me presidentin e Atletikos së Madridit, Enrique Cerezo-s, njeriun që gjendet prej 14 vitesh në krye të këtij klubi.
Atij i është kërkuar ta përshkruajë Atletiko që po përgatitet për sezonin e ri, gjë të cilën ai e ka bërë me shumë entuziazëm:
“Sinqerisht mendoj se është skuadra më e mirë në shumë vite. Dhoma e zhveshjes është plot me lojtarë të mëdhenj, me profesionistë të mëdhenj, e me njerëz të mëdhenj plot me dëshirë për të fituar.”
Synojmë të luajmë për tre trofetë e mëdhenj, ka qartësuar Cerezo në intervistë, për La Ligën, për Kupën e Mbretit dhe për Champions League-n. “Duam t’i fitojmë të tëra, gjë që është një detyrë e vështirë, por do të jemi veçanërisht në ndjekje të Champions League-s sonë të parë.”
Për Fernando Torres-in, presidenti ka thënë se mund të qëndrojë sa të dojë, e se është një marrëdhënie reciprokisht përfituese.
Griezmann-in, që shkëlqeu në Europian, Cerezo e quan gjeni, duke premtuar se ai do të qëndrojë për shumë vite te Atletiko e Madridit. Për të, Griezmann do të konkurrojë këtë vit për Topin e Artë.
E për Gameiro-n, si një blerje e kësaj vere, njeriu që e administron tërë aktivitetin e Atletikos së Madridit thotë: “Gameiro është lojtari klasik me të cilin dëshironim të nënshkruanim një marrëveshje.”
Që kur Diego Simeone u ul në stolin e Atletikos së Madridit, klubi i dytë i kryeqytetit spanjoll i është gëzuar fitimit të shumë trofeve. Mbetet ende i paprovuar gëzimi i fitimit të Champions League-s, ndërsa te Atletiko po përgatiten ta provojnë rishtas. /tesheshi.com/