Ka përfunduar pa fitues takimi më i fortë i javës së 23-të të kampionatit anglez. Liverpuli e Çelsi janë ndarë me një barazim 1-1 mes tyre, që më shumë ka qenë në favor të londinezëve.
Liverpulit nuk i ka mjaftuar entuziazmi për të fituar, madje është gjendur në humbje për një pjesë të mirë të lojës.
David Luiz ia kaluar në epërsi miqtë në mesin e pjesës së parë, ndërkohë që për vendasit ka barazuar Wijnaldum në minutën e 57-të.
Çelsi ka patur mundësi të kalonte rishtas në avantazh kur Diego Costa fitoi një 11-metërsh pas një simulimi të pastër në nisje të çerekorëshit të fundit të lojës, por ishte vetë ai që dështoi në ekzekutim. Mignolet do të bënte një pritje të shkëlqyer.
Liverpuli mbetet kështu në vend të katërt, duke mos përfituar nga frenimi i dy skuadrave para tij. Përndryshe, Çelsi vazhdon të jetë në kryesim.
Rezultati më i papritur i ndeshjeve të kësaj të marte ishte humbja e Arsenalit 1-2 në fushën e vet ndaj Uotfordit. Totenhemi u ndal po ashtu në një barazim pa gola në transfertën e Sandërlendit. /tesheshi.com/