Rinumërimi i votave në Tiranë, pas kërkesës së PDIU-së se ishin “vjedhur” votat që përcaktonin mandatin e Shpëtim Idrizit, nuk arriti të ndryshojë rezultatin, por tregoi se votat ishin prekur realisht.
Kalimi i votave nga një parti tek tjetra mund të jetë bërë me “urdhër nga lart”, por përgjegjësinë ligjore do t’a mbajnë komisionerët e partive të mëdha.
Kështu mësohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të kallëzojë penalisht 85 numërues të cilët në 25 qershor kanë vjedhur votat.
Vendimi i KQZ pritet të merret gjatë mbledhjes së nesërme, raporton Tema.
Rinumërimi i 64 kutive të Tiranës nga KQZ, pas kërkesave të PDIU dhe PS, zbuloi manipulimin e votave. PDIU doli me 5 vota plus nga rinumërimi, të cilat i ishin mohuar në 25 qershor.
Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe Partia Socialiste pasi administruan pamjet filmike të procesit të numërimit të votave për të gjithë zonën zgjedhore qarku Tiranë, krijuan bindjen se për disa qendra votimi numri i votave nuk përputhej me rezultatin e hartuar nga Grupet e Numërimit, në tabelat e qendrave të votimit.
KQZ ka vendosur të çojë për ndjekje penale të gjitha grupet e numërimit ku u konstatuan këto shkelje./tesheshi.com/