Mësohet sfondi i përgatitur mirë nga Edi Rama dhe Ilir Meta për ta përjashtuar Sali Berishën 10 ditë nga Kuvendi, në mënyrë që në seancën e së enjtes së ardhshme kur pritet të miratohet reforma në drejtësi, grupi i PD-së të mos kondicionohet nga ish-kryeministri; i cili e ka hijen dhe fjalën e rëndë, jo vetëm mbi të vetët por edhe ndaj kundërshtarëve.
Manovra e mazhorancës e ka gjetur pak të papërgaitur opozitën, e cila po mendon lëvizjen e radhës.
Sot pasdite, Sali Berisha do të drejtojë për herë të dytë grupin parlamentar të Partisë Demokratike; dhe kjo ndodh fill pas përjashtimit të tij nga Kuvendi për 10 ditë, vendim që u mor nga Byroja Parlamentare, pas sulmeve të tij ndaj pasardhësit të tij, të cilat u konsideruan fyerje.
Formalisht ka qenë Edi Paloka që ka thirrur mbledhjen urgjente të grupit parlamentar, ndërkohë që kreu i opozitës Lulzim Basha ndodhet jashtë vendit, në mbledhjen e Partive Popullore Europiane.
Ka caktuar orën 18.00 si kohën më të mundshme për të thirrur të gjithë parlamentarët e Partisë Demokratike që të vijnë në selinë blu.
Është caktuar pasditja vonë, pasi pritet që Basha nga Luksemburgu të sjellë sinjale prej aleatëve europianë të qendrës së djathtë.
Burime në selinë blu bëjnë të ditur se grupin do ta drejtojë Sali Berisha dhe do të kërkojë nominalisht votën e çdo deputeti të Partisë Demokratike pwr reformën në drejtësi, gjatë seancës së 2 qershorit.
E ndërkaq, Edi Paloka pritet të propozojë bojkotin e parlamentit për 10 ditë, aq sa Berisha do të mungojë në seancë.
Por kjo nuk do të këshillohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është në dijeni të planit të mazhorancës.
Gjithçka është përgatitur më përpara nga dyshja Rama-Meta, që në takimin e tyre të së mërkurës.
Qëllimi është që të izolojnë Berishën nga grupi i PD-së në mënyrë që të sjellin në seancë deputetët e opozitës që pritet të miratojnë reformën në drejtësi.
Përjashtimi i kësaj radhe i deputetit Sali Berisha duket se është më shumë se sa i ekzagjeruar dhe një veprim i menduar mirë.
Ish-kryeministri ka folur edhe më egër se kaq dhe nuk është marrë ndonjë masë e tillë, ndryshe në rastin kur ofendoi deputetin Taulant Balla, një muaj më parë.
Mazhoraca e kishte bërë planin që më përpara dhe priste që Berisha të shkelte tek kurthi i ngritur me fshehtësi pasi e dinin që të enjteve ish-kryeministri do ta kalonte kufirin e akuzave dhe sulmeve të tij.
Kërkesa e beftë e Ruçit menjëherë sapo foli ish-kryeministri, që herë të tjera e ka sulmuar edhe më egër Edi Ramën, ngjau hapur se ai e priste herët këtë moment.
Kreu i grupit parlamentar i PS-së, asnjëherë nuk replikon me Berishën dhe nuk ndërhyn në përplasjet e tij me Ramën, pasi kjo situatë i konvenon edhe brenda PS-së, ku ka pasur përpasje jo të vogla me kryeministrin.
Megjithtë, edhe Berisha e ka kuptuar menjëherë se bëhet fjalë për një plan dinak sapo është propozuar përjashtimi i tij.
Ndaj dhe selia blu ka 48 orë në heshtje, përveç disa komentimeve normale të deputetëve demokratë nëpër televizione.
Në zyrën e Berishës tek 20-katëshi pranë stadiumit “Qemal Stafa”, mbëmë deri vonë kanë qenë deputetët kryesorë të PD-së, ish-nënkryetarja Jozefina Topalli dhe ish-ministrat.
Një bojkot do të tingëllonte keq përballë zv.presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të jetë prezent në seancën e 2 qershorit.
Ndërkaq, mbledhja e grupit e lënë për ditën e sotme kur mungon Lulzim Basha, gjithashtu është një sinjal që Berisha i jep ndërkombëtarëve edhe publikut se PD-në e ka ende nën kontroll.
Ish-kryeministri është politikani që ka zhvilluar manovrat më të pabesueshme në këto 25 vite, ndaj dhe lëvizja e kësaj radhe nuk pritet të jetë kaq e thjeshtë, sepse një bojkot apo demonstratë në rrugë në prag të një vizite të lartë nga Uashingtoni, nuk hiç inteligjente si zgjidhje.
Një deputet i PD-së i tha tesheshi.com se “doktori ka lajmëruar se ka gjetur një ‘formulë magjike’ që do t’i trondisë kundërshtarët, pa bojkot dhe përplasje.
Megjithatë, këtë mund ta bënte edhe pas kthimit të Bashës nga Luksemburgu; po pse e mbldhi grupin në mungesë të kryetarit?!
/tesheshi.com/