Aksioni më i fundit në Greqi për kapjen e një grupi të madh të trafikut të drogës, ka qenë sërish një sukses. Përveç kapjes së një grupi shumë të fuqishëm të trafikut të narkotikëve me kanal Greqinë, është arrestuar një bërthamë shumë influente e mafias së drogës që kontrollonin aksin Tepelenë- Gjirokastër-Sarandë.
Një burim në agjencitë ligjzbatuese, bëri të ditur për tesheshi.com se bëhet fjalë për një operacion që është prej disa muajsh në kontrollin e zyrës së DEA-s në Greqi.
Prej më shumë se 9 muajsh janë kapur mbi pesë grupe të rëndësishme të trafikut të narkotikëve, duke filluar nga hashashi dhe kokaina, dhe pritet që së shpejti operacioni të shtrihet në pasurinë e investuar nga këto aktorë të rëndësishëm, që sipas burimit, rezulton se janë shtrirë më shumë në Greqi sesa në Shqipëri.
Prona të patundshme, biznese, lokale bixhozi, por edhe shoqëri financiare mashtruese, janë identifikuar nga DEA dhe Policia greke.
Këto organe kanë nisur një hetim të thelluar jo vetëm në Athinë, por edhe në qytete të rëndësishme turistike në zonën e Artës, si edhe në ishujt grekë.
Megjithatë, duket se ka diçka që “koinçidon” me të gjithë vrullin e këtyre operacioneve që kanë pasur thuajse 70% sukses, gjë që për logjikën policeske është thuajse e pazakontë.
Sipas përvojës së kthyer në një manual të pashkruar, policia ka sukses në afro 50% të operacioneve që nis kundër krimit të organizuar. Kjo vjen nga fuqia e mafia-s e cila zotëron mjete monetare, logjistike dhe propagandisitike për të përballuar luftën e agjencive ligjzbatuese.
Por mund të thuhet se ky sukses i degës së DEA-s në Greqi, “rastis” pikërisht me zhdukjen e Klement Balilit, të ashtuquajturin “Eskobar të Ballkanit”.
Menjëherë pas arratisjes së pronarit të Santa Quaranta-s, tashmë të sekuestruar(nuk dihet pse tani), u kapën në Itali dhe Belgjikë dy grupe të mëdha të trafikut të drogës në Europë. Më pas u arrestua një biznesmen nga Fieri, shumë i rëndësishëm, i cili ishte financuesi i tregëtisë së kokainës nga Amerika Latine në Ballkan, nëpërmjet Greqisë.
Pas këtij operacioni, policia greke dhe DEA kanë zhvilluar mbi 70 operacione totalisht të suksesshme, që kanë çuar në arrestimin e mbi 80 personave, gjysma e të cilëve shqiptarë, pjesa tjetër grekë, por edhe polakë e ukrainas, që nuk ishin thjesht ushtarë, por “kolonelë regjimentesh” të shpërndarjes së drogës me shumicë nga portet greke për t’i çuar në Europë, si nëpërmjet ajrit, tokës apo detit.
Greqia përbën portën më të madhe të kokainës në Ballkan që vjen nga Amerika Latine, dhe që përfshin grupe të mëdha meksikane e kolumbiane, të cilat bëjnë biznes edhe në SHBA. Kjo ka bërë që DEA të ngrihet dhe të ngulë rrënjë në Greqi, me zyrën më të madhe e cila administron dhe bërthamën e Shqipërisë.
Me aksionin e së hënës, mund të thuhet pa droje se tashmë DEA e ka kapur për “veshi” mafian e trafikut në zonën e jugut të vendit, apo aksit të famshëm Levan-Kakavijë. Vlora, që është një nyjë tjetër e madhe dhe funksionon kryesisht me Italinë, është në duart e Guardia di Finanza-s italiane. Por sërish edhe këtu del në pah Klementi i famshëm i Balilajve.
Dosja e bujshme e Habilajve, e qepur nga Prokuroria e Catania-s dhe e miratuar nga Gjyakata e Shkallës së Parë, ka marrë mjaft ushqim nga infot e dhëna nga qendra e DEA-s në Greqi.
Kjo qendër kontrollon prej kohësh edhe pjesën e trafikut të zonës së Bregut(nga Palasa në Sarandë), e që destinacion më shumë se Italinë kanë pasur Greqinë, por edhe shkëmbimin e mallit në det të hapur.
Madje një investigim i përbashkët i agjencive amerikane, greke dhe italiane, kanë arritur në përfundimin se në det të hapur ndërmjet Italisë, Greqisë, por edhe Libisë dhe vende të Afrikës së Veriut, janë zhvilluar transaksione marramendëse tre vjetët e fundit.
Edhe hyrja e Maltës në hartën e frikshme të pastrimit të parave nuk ka qenë rastësi, por ka shërbyer si aksesor i shtytjes së këtyre trafiqeve.
Po ç’hyn Klement Balili? Ndoshta nuk hyn, por që prej zhdukjes së tij gjërat po lëvizin shumë shpejt.
Biznesmeni nga Delvina, i lidhur me PD-në, më pas me LSI-në dhe i akuzuar sot nga opozita si një njeri i Edi Ramës, është kthyer në personin më enigmatik të Ballkanit, njësoj si Zoti Sorge apo agjenti 007 i Ian Flaming-ut.
Edi Rama tha së fundi në Parlament se FBI “do të vendosë në zgarë të gjithë peshqit e mëdhenj e të vegjël”.
Po kush do të dëshmojë në gjykatë kur të bëhet procesi për këta “peshq”, se normalisht pa dëshmitarë nuk bëhet asnjë gjyq? Dhe cili është roli i vërtetë i Klement Balilit në gjithë këto zhvillime të ububushme?
Enigma mbetet, por fakt është se që prej zhdukjes së tij gjërat vërtet kanë lëvizur më shpejt…/tesheshi.com/