Një grup me dhjetëra protestues irakenë sulmuan një konsullatë iraniane në Kerbala, nga ndërtesat e së cilës ata hoqën flamurin iranian dhe e zëvendësuan atë me një flamur irakian, raportoi AP.
Deri më tani, nuk ka raportime për lëndime në këtë incident, i cili ndodhi në kohën e protestave në Bagdad dhe provincat e tjera, kryesisht shiite, në jug të vendit.
Të paktën 256 njerëz janë vrarë në dy valët e demonstratave që nga fillimi i tetorit në Irak.
Protestat u ndalën shkurt, por më 25 tetor, protestuesit dolën përsëri në rrugë.
Kryeministri i Irakut u bëri thirrje protestuesve të rihapin rrugët, duke thënë se ishte “koha për ta rikthyer jetën në normalitet”.
Kryeministri Adel Abdul-Mahdi ka bërë thirrje që fabrikat, shkollat, universitetet të rihapen pas ditëve të protestave në Bagdad dhe në jug të vendit.
Ai tha në një deklaratë se gjithë ç’po ndodhte, po i kushtonte vendit miliarda dollarë.
Dhjetëra mijëra protestues janë tubuar në sheshin qendror të Bagdadit dhe në tërë Irakun jugor ditët e fundit, duke kërkuar një ndryshim në sistemin politik të krijuar pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA në 2003.
Mijëra studentë nuk shkuan në auditore për të marrë pjesë në protesta, duke fajësuar elitën politike për korrupsionin, papunësinë e lartë dhe performancën e dobët të shërbimit publik. /tesheshi.com/
https://twitter.com/i/status/1191170172696088576