Nga Mensur Krasniqi
Ndryshe nga vitet e kaluara kur qytetarët e Maqedonisë diskutonin dhe planifikonin festat e fundvitit, si duket ky i 2106-ës është i rezervuar kryesisht për politikë. Me t’u afruar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat konform Marrëveshjes së Përzhinos pritet të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti, si kryetemë ndër shqiptarët e Maqedonisë është pikërisht politika.
Ndonëse të dëshpëruar me situatën politike në vend, në çdo cep të rrugës zhvillohen debate politike.
Temat të cilat më së shumti i tangojnë dhe trajtojnë shqiptarët në prag të këtyre zgjedhjeve janë: platforma DÉJÀ VU e Ali Ahmetit dhe BDI-së, përshkallëzimi i virusit Menduh Thaçian, partitë e reja politike jashtëparlamentare shqiptare si një shpresë e re për dalje nga ky terr politik dhe ekonomik, ose rrezik për zvogëlimin e numrit të deputetëve shqiptarë në kuvend; mungesa e perspektivës dhe migrimi masiv i të rinjëve në Islandë dhe vende tjera’ Muhamed Zekiri dhe anëtarësimi i shqiptarëve në LSDM; si dhe koalicionimet e mundshme parazgjedhore dhe paszgjedhore.
Platforma politike DÉJÀ VU e BDI-së
Në mungesë të ideve të reja kreative, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti vazhdon me kartën e njëjtë të kërkojë votat e shqiptarëve. Ai edhe kësaj rradhe gjatë shpalosjes së pikave kryesore të platformës së tij, për të satën herë me rradhë ka radhitur gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në tërë territorin, barazi ekonomike, sundimin e shetit ligjor dhe pikën e famshme anëtarësimin në NATO dhe BE të Maqedonisë.
Nga ajo që diskutohet në opinionin e gjërë, Ahmeti së bashku me garniturën e tij politike, ose po tallen me intelegjencën e shqiptarëve ose vetvetiu po shënojnë autogolin duke ua bërë të ditur qytetarëve se koha e tyre ka marrë fund.
“A e dëgjuat Ali Ahmetin se çfarë premtime boshe renditi për mandatin e ardhshëm. Për cilën gjuhë zyrtare fliste, atë që as një shkolle emrin s’mund t’ia ndërrojnë ose që një parashtresë në gjuhën shqipe nuk mund ta dorëzosh, barazi ekonomike ku investohet vetëm në zonat lindore, sundimin e shtetit ligjor ku burgosen me burg të përjetshëm shqiptarë të pafajshëm si Monstra e të tjerë, apo se i ka mbetur atij ta drejton Maqedoninë në rrugën e BE-së dhe NATO-s”, kështu pyesnin njëri-tjetrin disa qytetarë në një nga kafenetë e a Çarshisë së vjetër, diçka që krijonte përshtypjen e një dëshpërimi të madh tek ata.
Mirëpo nga ana tjetër ekzistojnë edhe një kategori e konsiderueshme e shqiptarëve të cilët asnjëherë nuk hezitojnë t’ju përgjigjen ofendimeve të popullatës në adresë të Ali Ahmetit, kështu duke i dalur në mbrojtje, siç e quajnë ata “komandantit legjendar”.
“Ahmeti ka qenë dhe do të mbetet komandanti ynë legjendar. Të gjitha ofendimet ndaj tij janë edhe ofendim ndaj popullit shqiptar. Kur ka qenë më e nevojshme Ahmeti ka mbrojtur kauzën kombëtare, dhe me kalimin e kohës ai do ta dëshmon vetveten edhe më shumë. A nuk ju mjafton USHT-ja, po flitet shqip në kuvend, e vuri Skënderbeun në mes të Shkupit, me mijëra punësime, çfarë dëshironi më shumë, tani e kemi edhe universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup”, janë këto disa nga të arriturat e BDI-së të cilat i kanë shënuar gjatë mandatit të tyre brenda një dekade e gjysmë , dhe që simpatizantët e kësaj partie assesi nuk mund t’ia harrojnë.
Por se cili do jetë fati i BDI-së, dhe kush është në të drejtë e kush jo, më së miri do tregojnë rezultatet e zgjedhjeve.
Përshkallëzimi i virusit “Menduhthaçian”
Sikurse thellë në shpirt, dashuria për liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi, ishte shndërruar në një virus i pakalueshëm për simpatizantët e tij. Madje në çdo tubim, ai krenohej me 70 mijë luanët e PDSH-së, duke i’u rreferuar numrit të votave të sigurta nga zgjedhjet parlamentare kur do që të mbaheshin ato. Në këtë formë Menduh Thaçi, ashtu siç krenohej me një mesatare të pamjaftueshme të numrit të votuesve në zgjedhje, dukej sikurse asnjëherë të mos e kishte pasur të rëndësishme fitimin e pushtetit, aq sa ka dashur të sigurojë formimin e grupit parlamentar dhe të mbetet opozita e vetme shqiptare në Maqedoni. Kështu, ai në zgjedhjet e vitit 2011 arriti të eliminojë konkurrencën me partitë e sapoformuara aso kohe, Demokracinë e re dhe Rilindjen Demokratike Kombëtare, dhe me një opozitë si PDSH-ja, Bashkimi Demokratik për Integrim asnjëherë të mos ndjehet e rrezikuar. Mirëpo, në këto zgjedhje parlamentare PDSH e Menduh Thaçit si asnjëherë më parë po ndjehet e rrezikuar nga krahu i pakënaqur i disa nga ish-anëtarët dhe aktivistë të tij të cilët në këto zgjedhje do të garojnë kundër ish-liderit me partinë e re Lëvizjen për Reforma në PDSH në krye me Ziadin Selën. Përveç tjerash, autoriteti i Menduh Thaçit shënoi një rrënje drastike pas publikimit të bombave të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, ku ndër të tjerash në një bisedë telefonike me ish kryetarin e DSK-së, Mijallkov, Thaçi dëgjohet duke i’u përbetuar Mijallkovit se do t’i mbetet besnik deri në vdekje. Andaj kjo frazë, “veren do smrt” u bë aq e njohur sakaq çdo i dyti e përdor si ironi ndaj Menduh Thaçit. Ndërsa fajtori kryesor për qeverisjen e lirshme dhe komote të BDI-së, sipas shumicës së qytetarëve llogaritet Menduh Thaçi.
“E ka patur më Thaqi, u pa puna e tij në përgjimet e Zaevit. Jo rastësisht edhe njeriu më i mirë brenda asaj partie, Ziadin Sela u largua nga PDSH. Ne nuk kemi nevojë Menduhi ti mbetet besnik Mijallkovit për pazarllëqet e tyre, e aq më pak të ngelemi me dekada në opozitë dhe pa synime për të marrë pushtetin nga BDI, parti kjo e cila edhe pas 100 milion lëshimeve, ngelet favorite absolute ndaj PDSH-së së painteresuar për pushtet.”, ankohen të revoltuar disa nga ish aktivistët që përfundimisht janë liruar nga virusi “Menduhthaqian”.
Dhe nëse deri tani Menduh Thaçi me partinë e tij kanë arritur të sigurojnë një opozitë stabile, rezultatet nga sondazhet e fundit të anketave të ndryshme nuk garantojnë as grup parlamentar për PDSH-në, pas 11 dhjetorit.
Partitë e reja si një shpresë e re ose rrezik për zvogëlimin e numrit të deputetëve shqiptarë?!
Si asnjëherë më parë, zgjedhjet e 11 prillit pritet të jenë shumë interesante në bllokun politik shqiptar. Nga një BDI e pafuqishme ndaj VMRO-DPMNE-së dhe një opozitë(PDSH) e urtë ndaj zullumit, dhe ashtu siç pretendohet nga vet partitë e sapoformuara politike, Lëvizja BESA, LR-PDSH dhe UNITETI, këto parti u hapën si rezultat i nevojave të qytetarëve për një alternativë më të mirë të elektoratit në këto zgjedhje.
Mirëpo parashtrohet pyetja nëse këto parti, pas mosmarrëveshjes për bashkim opozitar, dhe dalja e tyre veç e veç në zgjedhje garanton rezultat të mirë për dalje nga kriza politike, ose do ju përsëritet episodi i Demokracisë së Re të Imer Selmanit, i cili edhe përkundër faktit që në zgjedhjet parlamentare arriti të grumbullon mbi 150 mijë vota, ndërsa pas dy vitesh partia e tij të mos fiton as edhe një deputetë.
“Ooo partitë e reja kështu të ndara veç kanë me na marr në qafë edhe më shumë. Sikur të ishin bashkuar kishte me pas eufori më të madhe tek qytetarët dhe suksesi do ishte i pashmangshëm. Kështu të ndara ka gjasa që t’i ndjek fati i DR-së”, kështu mendojnë shumica e qytetarëve.
Diçka tjetër që e brengos popullin shqiptar lidhur me partitë e reja, është fakti që shkaku tyre në këto zgjedhje partitë shqiptare të mos mund të grumbullojnë as edhe 20 deputetë, pra pesë më pak se në zgjedhjet e kaluara, gjegjësisht 7 më pak se zgjedhjet e vitit 2011, kur shqiptarët numëronin gjithsej 27 ulëse në kuvend.
Mungesa e dukshme e rinisë në procesin e zgjedhjeve si pasojë e migrimit nga politika dashakeqe e pushtetit aktual?!
Se rinia si kategori më e çmuar e një shoqërie ka lëshuar vendin si pasojë e mungesës së perspektivës në Maqedoni, së fundmi e ka pranuar edhe lideri i partisë shqiptare në pushtet, BDI-së, Ali Ahmeti. Ai i ballafaquar me praninë e ulët të pjesëmarrësve në njërin nga tubimet e partisë së tij në fshatin Mateç të Kumanovës, pranoi fajin se kjo është një pasqyrë shqetësuese si pasojë e shpërnguljes masive të rinisë nga Maqedonia për shkak të mungesës së investimeve.
“Ato shtatore, ato shkolla që po ndërtohen, ato universitete duan të rinj, duan studentë dhe si do të qëndrojnë njerëzit këtu duke mos ju ofruar perspektivë”, tha Ahmeti si të ishte në opozite e jo në pushtet prej vitesh, duke shkaktuar shastisje e pështjellime në opinionin maqedonas.
Për të dëshmuar këtë pohim të zotit Ahmeti, mjafton të përmendet fenomeni i zbrazjes së thuajse të gjysmave nga shtëpitë e lagjes së çairit, dhe migrimin e tyre në tokën e ftohtë të Islandës.
“Çka është kjo punë kështu, e gjithë rinia po largohen nga vendi, nuk shohin perspektivë këtu. Imagjinoni Islanda të bëhet shtet më i dashur se vendlindja jonë. Mjerr shqiptarët për vete ku po na qon ky pushtet”, vlerësojnë banorët e komunës më të madhe të Shkupit për nga numri i votuesve shqiptarë.
Muhamed Zekiri dhe anëtarësimi i shqiptarëve në LSDM
Pas publikimit të përgjimeve, apo të ashtuquajturave bomba të LSDM-së mbi kriminalitetin e pushtetit, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev arriti të fitojë një simpati të veçantë edhe te opinioni shqiptar në Maqedoni. Sipas tyre, për Zaevin thuhet të jetë shpëtimtari i popullit, që ia qeli sytë çdo qytetari. Nga ky moment, po edhe më shumë pas kalimit të ish gazetarit Muhamed Zekiri në rradhët e LSDM-së, një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve janë anëtarësuar në LSDM. Për momentin nuk është e qartë nëse kjo do jetë vetëm përkrahje simbolike, apo me gjithë mend shqiptarët do të mbështesin platformën e LSDM-së, duke ia besuar atyre edhe votën. Madje nga ajo që diskutohet në lagjet e banuara kryesisht me shqiptarë, thuajse aspak nuk po dallon platforma e LSDM-së, me atë të BDI-së. Kështu për ata më e arsyeshme do jetë t’ua japin votën LSDM-së dhe drejtëpërdrejt ti fitojnë të drejtat e tyre, se sa të mbështesin BDI-në e cila pa aminin e partive maqedonase nuk kanë fuqi të ndërrmarin asnjë vendim që do ta ndryshonte gjendjen e shqiptarëve.
“Zaevi ka dalë ma burrë se këta tanët. Ai na i qeli sytë dhe na bëri me dije kë jemi duke votuar. U pa publikisht në përgjimet e bisedave telefonike se si shqiptarët e shesin kauzën kombëtare për pazare të ulëta me maqedonasit. Nga ana tjetër LSDM-ja për dallim nga nacionalistat e VMRO-së kanë avancuar shqiptarët edhe si anëtarë të kryesisë qendrore, e kemi Muhamedin dhe Edmondin, përfshirë këtu edhe Gjylymseren. Nuk më bëhet vonë kësaj rradhe edhe LSDM-së me ia dhan votën, edhe ashtu partitë tona janë si mashë e tyre, nuk i merr në dorë askush”, në këtë formë debatohej në njërën nga çajtoret e lagjeve të Shkupit.
Kujtojmë se para disa ditësh në listat për deputetë në rradhët e LSDM-së, figuronin edhe 3 shqiptarë, diçka që paraqet precedent për shoqërinë tonë në Maqedoni, ashtu siç paraqet precedent fakti që shqiptarët të përkrahin dhe votojnë një parti maqedonase në zgjedhje.
Koalicionimet e mundshme parazgjedhore, dhe paszgjedhore
Një ndër temat të cilat ua shquan kurreshtjen opinionit shqiptar dhe që shpeshherë trajtohet si kryetemë e debateve të tyre, janë edhe koalicionimet e mundshme parazgjedhore dhe paszgjedhore, edhe pse nuk është që populli di më shumë nga ajo që u servohet prej mediumeve. Në fillim sipas tyre dukej që Lëvizja BESA si një forcë e re në politikbërjen shqiptare po afrohet me LSDM-në, e që pastaj të ftohen raportet ndërmjet këtyre dy partive, dhe të krijohet ajo aleancë e vjetër dhe siç e quajnë ata koalicioni amë LSDM-BDI.
Nga ana tjetër, flitej e përflitej për një koalicionim parazgjedhor ndërmjet BDI-PDSH-së kundër partive të reja nga blloku politik shqiptar, në mënyrë që të evitojnë çdo rrezik të mundshëm.
Ndërsa për pjesën më të madhe të shqiptarëve të pakënaqur nga pushteti aktual, pikë në zemër ngelet mosbashkimi i opozitës shqiptare për ti dhënë goditjen e rëndë BDI-PDSH-së dhe përcjelljen e tyre në histori si një kujtesë e tmerrshme për popullin shqiptarë.
“Ne si shqiptarë jemi mësuar të vuajmë. Si ka mundësi që opozita të mos merr leksione nga dështimet e BDI-PDSH-së, dhe të mos bashkohen drejt një kauze, por të garojnë të përqara njëra me tjetrën. Sikur të ishin bashkuar opozita e vërtetë, BDI dhe PDSH-ja në këto zgjedhje do të shkonin në histori”, këto janë kalkulimet e qytetarëve për koalicionimet e mundshme që me shumë gjasë do sjellnin rezultate pozitive për opozitën dhe shqiptarët në përgjithësi.
Teksa vërehej në bisedat e tyre, asnjëri nga shqiptarët nuk parapëlqejnë koalicionimin e cilës do parti me VMRO-DPMNE-në dhe Nikolla Gruevskin. /tesheshi.com/