Pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura të dielën, drejtuesit e subjekteve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi janë takuar të hënën dhe kanë përsëritur qëndrimin se nuk do të jenë pjesë e qeverisë në të cilën është edhe PDK-ja, ndërsa nuk e kanë përjashtuar lidhjen e një koalicioni të mundshëm me Vetëvendosje-n.
“Koalicioni përsërit qëndrimin e palëkundur se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, në të cilën është edhe PDK-ja. LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi theksojnë se koalicioni është unik në të gjitha qëndrimet. Koalicioni është pajtuar që kryetari i LDK-së ta përfaqësojë këtë koalicion”, thuhet në komunikatën e publikuar pas takimit.
“Drejtuesit e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi vlerësojnë lart dhe falënderojnë qytetarët e Republikës së Kosovës për një proces të rregullt zgjedhor, për kulturën e treguar dhe për mbështetjen që i kanë dhënë koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi. Partnerët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, pas procesit të djeshëm, presin certifikimin e rezultatit nga ana e KQZ-së, për të ditur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit”, thuhet në kumtesë.
Kujtojmë se ky koalicion sipas rezultateve preliminare të KQZ-së me 99% të votave të numruara është renditur i treti me 25.74 për qind. /tesheshi.com/