Ish-Presidenti francez Zhak Shirak ndërroi jetë dhe janë shumë gjëra për të cilat do të mbahet mend.
Ai shërbeu për dy mandate si president, dhe deri dje ishte politikani i gjallë me përvojën më të madhe politike.
Për 18 vite, ai shërbeu si kryebashkiak i Parisit duke krijuar lidhjet e tij me Pallatin Elize.
I njohur nga brenda dhe jashtë si pro-evropian i flaktë, ai ishte njëri nga hartuesit e kushtetutës së Bashkimit Evropian, megjithëse versioni i tij u refuzua nga ligjvënësit francezë.
Qëndrimet e tij do të mbahen mend si më kryeneçe se të aleatëve të tij fqinj dhe atij tej-oqeanik.
Ai do të kujtohet si personi që frenoi për disa javë sulmet e NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, gjë që çoi zgjatjen e luftës në Kosovë. Ai u tërhoq vetëm pas telefonatave dhe vizitës që i bëri Uashingtonit, ku Presidenti amerikan Bill Clinton e bindi që të mos përsëritej një Bosnje e dytë.
Vizita në SHBA me 19 shkurt 1999 ishte data kur Shirak pranoi të bëhej nikoqir i marrëveshjes së Rambujesë, duke shënuar kështu hapin e parë të instalimit të paqes në Kosovë.
Arkivat e Washington Post edhe sot dokumentojnë skepticizmin e tij për goditjet e NATO-s ndaj objektivave serbe. Ai zvarriti sulmet pasi kërkoi të rishikohen disa herë pozicionet që mund të preknin Malin e Zi, që atëherë ishte pjesë e Jugosllavisë.
Pasi u mor vendimi për sulmet, ai doli në konferencë për shtyp duke u thënë gazetarëve se nuk do të lejonte më që kreu jugosllav të luajë me jetën e njerëzve në këmbim të kohës që kërkonin marrëveshjet.
Por skepticizmi i tij nuk mbaronte me Kosovën.
Refuzimi i tij për të mbështetur pushtimin amerikan të Irakut, përkeqësoi marrëdhëniet e tij gjithnjë të tensionuara me kryeministrin e atëhershëm të Mbretërisë së Bashkuar, Toni Bler.
Më shumë rreth jetës së veteranit të politikës
Zhak Rene Shirak lindi në vitin 1932, si i biri i një menaxheri banke i cili më vonë u bë drejtori menaxhues i kompanisë së avionëve Dassault.
I arsimuar në Ecole Nationale d’Administration, akademia elitare për nëpunës civilë që aspirojnë politikë, Shiraku i ri u “zhyt” në idetë e komunizmit dhe më pas pacifizmit.
Ai shërbeu për një kohë në rezervën e ushtrisë franceze dhe u plagos gjatë luftës koloniale franceze në Algjeri.
Vitet 1960 e gjetën duke punuar si asistent i kryeministrit Gaullist Georges Pompidou.
Ishte ai që e bëri Shirakun kryeministrin më të ri, në vitin 1967.
Megjithatë, ideja e Evropës centrike ia dha Shirakut “plagën në zemër” sa ishte president. Ëndrra e tij për një Evropë të udhëhequr nga Franca dhe Gjermania dhe qëndrimi i tij kundër zgjerimit të BE-së me anëtarët e rinj nga lindja ishte preokupimi i tij kryesor, e që për të nuk i bëhej vonë aleatëve.
Ai madje edhe insistonte për participim më të madh të Britanisë së Madhe në “kuletën e BE-së”, ndonëse shëndeti i tij i lig i kohëve të fundit nuk ia dha rastin t’i thoshte disa fjalë për divorcin Britani – BE. /tesheshi.com/