Mediat serbe, siç tashmë është bërë rit prej tre vjetësh, çdo gusht plasin në rrjet lajmin se ish-ministri i jashtëm i Beogradit, Vuk Jeremiq është kandidat për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.
Dhe këtë lehtësi e kanë marrë menjëherë disa media edhe serioze shqiptare, pa e analizuar.
Ban Ki Mun përfundon mandatin në muajin janar të 2017 dhe procesi për zgjedhjen e pasaardhësit të tij ka nisur. Megjithatë, diplomatët e OKB-së parashikojnë një rrugë të gjatë deri në zgjedhjet e sekretarit të ri për shkak të klimës së tensionuar mes fuqive të mëdha, që pritet të bllokojnë njëra tjetrën në këtë proces.
Jeremiq mori tetë vota “kurajimi” nga 15 vendet e Këshillit të Sigurimit, duke u renditur i dyti. Preferenca e parë është portugezi Antonio Guterres, që siguroi 11 vota “kurajimi” në Këshill.
“Treguam që kemi mbështetje të gjerë në Këshillin e Sigurimit dhe Serbia është gati për pozicionin më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare”, tha Jeremiq për televizionin shtetëror serb.
Gazetari Nefail Maliqi i Presheva Jonë, i cili është i vetmi shqiptar i akredituar në selinë e OKB-së, e ka komentuar kandidaturën e Jeremiç si një “akullore vere”.
“Jeremiq do të bëhet sekretar i përgjithshëm i OKB-së pasi Ban Ki Mun të zgjidhet kryetar i Komunës së Preshevës, thekson Maliqi në një shkrim të posaçëm për kandidaturat e mundshme.
Sipas Maliqit Ballkani ka shumë gjasa që të përfaqësohet për herë të parë në kreun e OKB-së por jo nga Serbia por nga Bullgaria.
Kandidatja më serioze është Irina Bokova, Drejtore e Përgjithshme e UNESCO-s.
/tesheshi.com/