Policia ka vënë në pranga një person të dyshuar si vrasësi i ish-zyrtarit të policisë Artan Cuku pak javë më parë.
I dyshuari si vrasës me pagesë është Mikel Shallari dhe policia beson se ai është paguar nga familja Daka në formë hakmarrje ose gjakmarrje për vëllain e tyre.
Akuza ndaj Shallarit është ngritur në bazë të nenit 78/A, që parashikon vrasjen e kryer në bashkëpunim për interes hakmarrjeje apo gjakmarrjeje dhe që dënohet nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm.
Policia ndërkohë ka shpallur në kërkim shtetasin Bujar Daka, 35 vjeç, i dyshuar si porositësi i vrasjes së Cukut.
Vëllai i tij Agim Daka u vetëvra në zyrën e ish-shefit të komisariatit numër 4, Artan Cuku, kur po merrej në pyetje.
Duke folur për mediat babai i vellezerve, Prelë Daka, mohon që djemtë e tij kanë lidhje me ngjarjen, pasi sipas tij problemi mes familjes dhe komisar Cukut është zgjidhur me Kanun dhe dy familjet janë pajtuar.
Mesa duket, për Policinë nuk pi ujë “falja” e Kanunit, ndaj pista kryesore e hetimit që në fillim u fokusua tek hakmarrja e vëllezërve Daka, të cilët kanë bërë përgjegjës Cukun për vdekjen e vëllait të tyre. /tesheshi.com/