Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako paralajmëroi qytetarët shqiptarë të mos synojnë azilin në vendet e Bashkimit Europian, pasi jo vetëm nuk do ta marrin atë, por edhe do të djegin mundësinë për të lëvizur lirshëm në zonën Shengen.
Përballë një numri të madh shqiptarësh që kanë kërkuar azil në Gjermani e në vende të tjera të BE-së, duket se shteti shqiptar po synon me të gjitha mënyrat të sensibilizojë qytetarët të mos largohen.
Drejtori i Policisë i bashkohet në këtë mënyrë me dhjetëra deklaratave të zyrtarëve gjermanë, në Tiranë dhe në Berlin për të dekurajuar shqiptarët të marrin rrugën e kurbetit.
Çako, ndërsa inspektoi masat e marra nga autoritetet policore për parandalimin e personave që synojnë statusin e azilantit në vendet e Bashkimit Europian, tha se policia do të bëjë gjithçka që të mos lejojë lëvizjen për azil.
“Djegia e mundësisë së tyre për lëvizje të lirë i kushtëzon dhe një penalitet që nuk i lejon lëvizjen e mëpashme, qoftë për turizëm, qoftë për arsye të tjera”, tha Çako.
Ai apeloi që të gjithë qytetarët që kërkojnë “Europën” e kanë këtë mundësi përmes procedurave ligjore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit paralajmëroi gjithashtu përforcimin e pikave të kalimit kufitar për të mos lejuar abuzime. /tesheshi.com/