Policia gri do të jetë struktura e parë që do të shkrihet nga qeveria “Rama2”. Kjo është pohuar publikisht edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se në mbledhjen e parë do të merret vendimi për të shkrirë këtë strukturë.
Policia gri përbëhet nga 110 inspektorë, që kanë për detyrë të kontrollojnë respektimin e rregullave në transportin rrugor.
Këta inspektorë, që vishen më uniformë policie ngjyrë gri, qëndrojnë kryesisht në rrugët kombëtare për të kontrolluar automjete e rënda që transportojnë mallra dhe pasagjerë.
Nëse do t’u referohemi të dhënave, në 6 muajt e parë të këtij viti 110 inspektorët kanë kontrolluar 3022 makina, ku përfshihen kamionë, maune dhe autobusë, transmeton Vizion+.
Ndërsa ka vendosur gjoba në masën 14 milion lekë, ku penalitetet më të mëdha janë regjistruar në Fier dhe Tiranë.
Por në sitën e kësaj strukture janë përfshirë edhe makinat me targa të huaja.
Funksioni i inspektorëve është i parashikuar si në ligjin për transportin, ashtu dhe në Kodin Rrugor.
Ndaj shkrirja kërkon një rregullim tërësor ligjor, në mënyrë që këto kompetenca t’i kalojnë Policisë Rrugore.
Policia gri ka ekzistuar prej vitesh, me emërtimin kontrolli i shfrytëzimit të automjeteve, ndërsa sot këta inspektorë janë në varësinë e Drejtorisë së Shërbimit dhe Transportit rrugor./tesheshi.com/