Niloy Çakrabarti është shkruesi i katërt në blogje që vritet gjatë këtij viti në Bangladesh. Ai gjeti vdekjen të premten brenda apartamentit të tij në kryeqytetin e vendit, i sulmuar dhe i goditur me mjete prerëse nga katër persona. Bashkë me dyzetvjeçarin gjendeshin në shtëpi e shoqja dhe një person tjetër, por ata nuk u ngacmuan aspak nga sulmuesit, pasi u çuan në një cep tjetër të ambientit.
Policia e Bangladeshit është detyruar me këtë rast t’u tërheqë vëmendjen shkruesve shekullarë në blogje, duke u kërkuar të mos “e kalojnë cakun” kur shkruajnë mbi çështjet fetare, që janë pjesë thelbësore dhe mjaft e ndjeshme e jetës së njeriut.
“Mos e kaloni cakun! Mos e fyeni besimin fetar të askujt!”, janë fjalët e inspektorit të përgjithshëm të policisë, Shahidul Hoque.
“Mendarët e rinj” duhet ta kenë parasysh se lëndimi i ndjenjave fetare të dikujt është shkelje penale, citohet të ketë thënë zyrtari i lartpërmendur i policisë.
Sa për vrasjen e bloguesit, Hoque njoftoi se ajo po hetohej me “përparësi”.
Përgjegjësinë për vrasjen e mori pak orë pas ngjarjes Ensaru’l-Islam, dega bangladeshase e el-Kaedës në nënkontinentin indian, por policia nuk e ka konfirmuar ende përfshirjen e saj.
Avijit Roy, themeluesi i blogut Mukto-Mona dhe një kritik i Islamit, u vra në shkurt. Ai i përshkruante shkrimet e tij si “tabu” në Bangladesh. Në mars do të gjente vdekjen Vashikur Rahman, e në maj do të humbte jetën bloguesi tjetër shekullar, 31-vjeçari Ananta Bijoy Das. /tesheshi.com/