Policët shqiptarë të qarkullimit do të bëjnë kurs trajnimi për motoçikletë në Kosovë.
Kjo ka qenë një nga marrëveshjet e firmosura nga krerët e policive të dy vendeve, gjatë vizitës në Prishtinë të Drejtorit të Policisë së Shqipërisë, Haki Çako, i cili është pritur në takim nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Ky takim kishte për qëllim avancimin e bashkëpunimit të mëtejmë në mes të dy institucioneve policore të të dy vendeve, si dhe nënshkrimin e memorandum bashkëpunimit për “Realizimin e Kursit të Trajnimit për Motoçiklistë të Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Shqiptar”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni tha se Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha fushat policore, duke iu referuar edhe bashkëpunimit në fushën e komunikacionit rrugor dhe bashkëpunimit kufitar të dy vendeve në menaxhimin e integruar të kufirit.
Tani edhe kjo marrëveshje bashkëpunimi e nënshkruar në fushën e trajnimit për motoçiklistë patrullues të trafikut, do të ndikojë edhe më tej në avancimin e bashkëpunimit dhe trajnimeve të ndërsjella, tha ai.
Drejtori i Policisë së Shqipërisë, Haki Çako tha se kemi trajtuar çështjet e bashkëpunimit në disa fusha dhe për këtë siguroi se do të bashkëpunojë ngushtë me strukturat e sigurisë në të gjitha format, si dhe do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë edhe në realizimin e trajnimeve me interesa të përbashkëta, thekson njoftimi dërguar nga Policia e Kosovës.
Gjatë takimit i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, të dy krerët e Policisë u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të dy policive, si dhe avancimin e përbashkët në fushën e luftimit të krimit, krimit të organizuar, atij transkufitar dhe realizimin e trajnimeve të përbashkëta policore në fusha të ndryshme.
/tesheshi.com/