Në një konferencë fundviti me median, ministri i Jashtëm Igli Hasani u pyet nëse qeveria shqiptare është vënë në kontakt me qeverisjen e re siriane, pas regjimit të Assadit, për të mudësuar rikthimin e atyre shqiptarëve të mbetur atje që nga lufta civile e vitit 2014.
Përgjigja e Hasanit ishte:
“Edhe para rënies së regjimit diktatorial të Assadit në Siri, Task Forcë e ngritur nga qeveria shqiptare për menaxhimin e mundësisë së tërheqjes së shtetasve shqiptarë ka punuar maksimalisht.
Me ministrin e Brendshëm Hoxha jo vetëm kemi qenë jo vetëm në kontakte të vazhdueshme por dhe me plane konkrete. Por do të më lejoni të mos hyj në detaje për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë në koordinim të ngushtë me partnerët strategjikë. Kjo punë vijon.
Zhvillimet e reja kanë zhvilluar shumë mundësitë dhe kanë hapur dhe alternativa të reja angazhimi për të cilat ne do të maksimalizojmë punën përpjekjen e angazhimin që çdo shqiptar me vullnet të lirë të ketë mundësi të vijë në atdhe”, ishte përgjigja e njeriut që drejton diplomacinë shqiptare.
Kujtojmë se me dhjetra shqiptarë, specifikisht të besimit musliman, rendën drejt Sirisë, individualisht ose me familje, të parët për të luftuar kundër Assadit e të dytët me idenë se aty po krijohej një shtet apo shoqëria e re me norma tipike islame, gjë që rezultoi një iluzion.
Kjo çoi që disa të humbin jetën e disa të mbeteshin atje, individë ose familje, mes tyre dhe fëmijë. /tesheshi.com/