Nga Blendi Gashi
“Perceptimi dhe realiteti mbi korrupsionin në Kosovë dallojnë”. Kështu deklaroi një ditë më parë kreu i Shtetit, Hashim Thaçi gjatë një takimi që zhvilloi me Hasan Pretenin, drejtorin e Agjenicës Anti-Korrupsion, duke relativizuar nivelin e lartë të korrupsionit që mbretëron në vend.
Por siç duket deklarata e presidentit Thaçi ka nervozuar tej mase Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX si dhe policinë e Kosovës, pasi veç një ditë më pas, një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Thaçi, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Azem Syla i njohur si komandant “Daja”, është duke u kërkuar nga organet e rendit për ta arrestuar pasi së bashku me 50 persona të tjerë dyshohen për tri vepra penale; Krim të organizuar, pastrim parash dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
EULEX-i shkoj ta arrestojë sot deputeti e PDK-së, Azem Syla në shtëpinë e tij në Kishnarekë të Drenasit, për dyshime të fuqishme të krimit të organizuar, mirëpo nuk e gjetën aty, pasi iku nga Kosova.
E kërkoi në Prishtinë, por kot. Syla siç duket ishte në dijeni se do të arrestohej, andaj raportohet se gjendet në Shqipëri. Sipas mediave kosovare për herë të fundit i është lajmëruar policisë në telefon nga Durrësi.
“Jam në Durrës, tash po nisna me ardhë për Kosovë”, janë fjalët e fundit të Azem Sylës, e që më pas nuk është bërë i gjallë, duke e shkyçur celularin.
Për dallim nga Syla që u bë i pakapshëm u arrestua në orët e mëngjesit ish shoferi i tij, Artan V. në banesën e tij në Prishtinë.
Aksionin e bastisjeve e konfirmoi edhe zëdhënësja e EULEX-it në Prishtinë, Dragana Nikoliç-Solomon, e cila nuk ka dhënë detaje të tjera, ndërkohë që tha se aksioni është duke vazhduar edhe në dy lokacione.
Thaçi kërkon nga Azem Syla të dorëzohet
Aksioni për kapjen e Azem Sylës njeriut më të fuqishëm në PDK ka bërë që të reagoi edhe ish kreu i kësaj partie, Hashim Thaçi, tashmë president i vendit.
Thaçi, ka thënë se e përshëndet dhe mbështet fuqishëm aksionin e organeve kombëtare dhe ndërkombëtare të rendit dhe ligjit.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është çelësi i ndërtimit të shtetit demokratik e të drejtë, çelësi i së ardhmes sonë evropiane. Pres nga të gjithë ata që janë të përfshirë në rastet gjyqësore t’i ofrojnë bashkëpunim të plotë policisë dhe prokurorisë”, ka shkruar ai në Facebook
PDK e Kadri Veselit, hesht
Për dallim nga ish shefi i tyre që ka kërkuar dorëzimin e Azem Sylës tek organet e rendit, Partia Demokratike e Kosovës është në heshtje të plotë deri më tani.
Ky subjekt politik në orët e mëngjesit raportohet se ka mbajtur një mbledhje, por pas saj nuk është prononcuar as u.d. i kryetarit të partisë Kadri Veseli, as Hajredin Kuçi që është ministër i Drejtësisë por as shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci.
Reagime të ndryshme për aksionin e EULEX-it për kapjen e Azem Sylës
Aksioni për kapjen e Azem Sylës ka ngjallur shumë reagime në opinionin publik kosovarë.
Kryesisht aksionin e EULEX-it pjesëtarë të shoqërisë civile por edhe gazetarë e ndërlidhin me deklaratat që ka bërë presidenti Hashim Thaçi në lidhje me dukurinë e korrupsionit por edhe deklaratën e dhënë për aksionin e sotëm.
Lumir Abdixhiku drejtor i Institutit Riinvest, thotë se aksioni i sotëm policor demantoi deklaratën e Thaçit mbi korrupsionin.
“‘Korrupsioni në Kosovë është vetëm percepcion’ – thoshte presidenti i vendit më të korruptuar në Evropë. Një ditë më pas, një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të tij, ‘Daja’ me 51 hajdutë, po përndiqeshin nëpër Kosovë për afera korruptive e krim të organizuar”, ka shkruar Abdixhiku, në Facebook.
Gazetari Zeka: Thaçi më mirë të heshtë!
Gazetarit Milaim Zeka, aspak nuk i ka pëlqyer deklarata e dhënë sot nga presidenti Thaçi për aksionin për kapjen e Azem Sylës.
Zeka, duke komentuar deklaratën e Thaçit thotë se presidenti është mire të hesht, pasiqë, me pas pyet EULEX-i Thaçin, edhe 100 vjet ky misioin për sundimin e ligjit nuk kish trokitë në derë të Azem Sylës.
“Zakonisht në raste të tilla, ata të cilët janë të veshur me petkun politik, më mirë është me hesht, pasiqë çdo prononcim publik, del i gabuar. Po të donin politikanët tanë drejtësi në këtë vend, nuk do të lejonin që sistemi i drejtësisë të katandisej në këtë shkallë, si dhe do të ngritej zëri për “Rastin Kiçina”, ku Arsim e Burim Ramadani me shokë, po mbahen që 14 vite në burg, për një vrasje që as ëndërr nuk e kanë pa. EULEX-i, ajo pjesë e mirë brenda këtij institucioni, duhet t’i shkojë deri në fund çdo lënde mbi e nën tavolinë. Ata duhet të arrestojnë edhe pjesëtarët e tyre, gjykatës e prokuror, të cilët i kanë shkaktuar drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare, 1000 të zeza”, ka shkruar Zeka në Facebook.
Deputeti Berisha pyet: Kush e ka radhën?
As deputetit Zafir Berisha, nuk i beson deklaratës së presidentit Thaçi për aksionin e sotëm.
Deputeti nga Prizreni thotë se Thaçi me deklaratën e tij po dëshiron të thotë se ai është “melaqe”.
“Nëse Azem Syla paska bërë gjithë këto dallavere me prona, ua merr mendja që Hashim Thaçi s’ka ditur asgjë?!
E keqja është se kryehajduti i Kosovës po mendon se populli po han bar dhe i beson dokrrave të tij.
Azemi është rast ideal që Isa sot në Bruksel me thënë jemi duke luftuar korrupsionin. Ky mund të jet veç fillimi i atyre që Hasha do ti përdor ‘mish për top’ për me shpëtuar veten…Kush e ka radhën…?”, ka thënë Berisha, përmes një postimi bërë në Facebook.
Edhe kyetari i Prishtinës flet për aksonin e sotëm
Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar bastisjet e sotme për krim të organizuar. Ai ka thënë se këto bastisje kanë prekur edhe ish-drejtuesit e Komunës dhe të ndërmarrjeve publike të Prishtinës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka përmendur Sabedin Haxhiun si njërin prej të arrestuarve për krim të organizuar, i cili gjatë udhëheqjes së kaluar në Komunën e Prishtinës, ka qenë drejtor në Kadastër dhe drejtor i Ndërmarrjes Publike Banesore.
“Ka më shumë se dy vite që flasim për atë që ka ndodhur në komunën e Prishtinës, prej ndërtimeve pa leje e deri te tjetërsimet e pronave komunale. Kemi thënë që shifrat janë marramendëse. Kemi deponuar kallëzime penale e kemi kërkuar hetime urgjente. Besoj se po bëhet dita ditës me e qartë se pse gjithë ajo zhurmë në Kuvendin Komunal. Po ashtu, po bëhet më e qartë se pse nuk duhet të lejojmë kthimin e ndërmarrjeve publike komunale në duar të krimit. Ne nuk do të ndalemi në këtë luftë kundër krimit, korrupsionit dhe të këqijave në vendin tonë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook. /tesheshi.com/