Largimi i UNMIK-ut në Kosovë, si dhe formimi e ushtrisë së Kosovës, do të çojë Serbinë në pozitë tmerrësisht të vështirë – tha presidenti Vuçiç, duke iu referuar rastit të një letre të ambasadores në largim Nikki Haley, ku thuhej se misioni i OKB-së duhej të tërhiqej nga Kosova, sepse për SHBA “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”.
Vuçiç, në komentet e tij për këtë rast, tha se kur Shtetet e Bashkuara të marrin vendime, ato duhet të jenë në përputhje me interesat e tyre dhe të pasqyrojnë interesat e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Sepse nëse largohet UNMIK dhe formohet ushtria e Kosovës, kjo do ta vinte Serbinë në një pozicion tmerrësisht të vështirë. Më pas ne nuk kemi zgjidhje tjetër, veçse të zgjedhim të mbrojmë vendin tonë”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se është e qartë pse amerikanët duan të largojnë prezencën e OKB-së në Kosovë, “sepse për ta, Kosova është e pavarur dhe sovrane”.
“Është e qartë se SHBA kërkon që të heqë gjurmët e fundit të Rezolutës 1244 dhe të rendit juridik ndërkombëtar”, tha Vuçiç në një konferencë shtypi me presidentin austriak, Alexander Van der Bellen.
Ai ka shtuar se ai shpreson që “Serbinë askush nuk do të sjellë në atë pozitë, duke shkatërruar sistemin ligjor ndërkombëtar për të treguar se ata mund të bëjnë çfarë të duan në botë.”
Vuçiç ka thënë se formimi i ushtrisë së Kosovës, përbëjnë një problem të madh dhe pothuajse të pazgjidhshëm për Serbinë dhe për rajonin dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar, sidomos Shteteve të Bashkuara që t’i kushtojnë vëmendje kësaj që po ndodh me politikanët shqiptarë në Prishtinë, të angazhuar tashmë për themelimin e saj.
Ai vuri në dukje se nuk ka asnjë instrument ligjor ndërkombëtar që lejon formimin e ushtrisë së Kosovës; se kjo nuk është e paraparë në Rezolutën 1244, as nga marrëveshja e Brukselit apo ajo me NATO-n. /tesheshi.com/