Një pilot jordanez u tall me aktin e diskutueshëm të Presidentit Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, në një video që po qarkullonte të mërkurën vonë nëpër rrjetet sociale.
Në video, Jusuf Al-Hamlan thotë në arabisht: “Po fillojmë rrugëtimin tonë të sotëm nga Aeroporti Ndërkombëtar i Mbretëreshës Alia dhe do të kalojmë nëpër tokat palestineze. Në të majtën tonë është Kudsi i bekuar (Jerusalemi), kryeqyteti i Palestinës dhe brigjet perëndimore të Palestinës, në detin Mesdhe”.
Jerusalemi u vendos për herë të parë nën sovranitetin dhe kontrollin ndërkombëtar me Planin e Ndarjes së OKB-së në vitin 1947, i cili rekomandoi ndarjen e Palestinës historike midis shteteve hebraike dhe arabe në mënyrë që t’i japë fund konfliktit në rajon. OKB zgjodhi një status të veçantë, pasi Jerusalemi është i shenjtë për hebrenjtë, të krishterët dhe muslimanët. Sidoqoftë, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1948, forcat izraelite shpallën Jerusalemin Perëndimor pjesë të Izraelit, duke injoruar rekomandimin e OKB-së.
Në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967, Izraeli përsëri e shënjestroi Jerusalemin, duke marrë kontrollin e pjesës lindore të qytetit, e cila më parë ishte nën kontrollin jordanez. /tesheshi.com/