Në pamje të parë duket vërtet një akt pa mend, i nxituar, i papërligjur, ai i vendosjes së një memoriali te Kodrat e Liqenit, kushtuar të rënëve mesnatën e 15 korrikut 2016 duke u gdhirë e nesërmja, gjatë një tentative për grusht shtetit në Turqi.
Turfulluesit ndaj një gjesti të tillë nga ana e Bashkisë së Tiranës, kanë lexuar aty servilizëm, a me keq akoma, vetëposhtërim shqiptar karshi Turqisë, për t’i imponuar vendit tonë diçka që ka lidhje ekskluzivisht me të. Grushti i shtetit ishte një ngjarje e gjitha e Turqisë, zhvillimeve të brendshme të saj, pa asnjë lidhje me Shqipërinë – është pak a shumë argumenti i tyre.
Edhe pse ka një turkofobi të fshehur në gjithë këtë, e cila i nën apo mbivendoset argumentimit të mësipërm, ky i fundit duhet marrë në konsideratë. Vërtet, ç’lidhje ka Shqipëria me një zhvillim politiko-ushtarak tërësisht turk? Pse duhet të mbajë toka shqiptare simbolika krejtësisht të huaja për të, edhe ne ardhshin nga një vend aleat si Turqia?
Vendosja e memorialit ndodhi në një mënyrë krejt të beftë, pa u paraprirë nga asnjë debat publik, ku mediave thjesht u duhej të raportonin për një zhvillim të të papandehur, mbi të gjitha, tre javë pas përvjetorit të tretë të grusht-shtetit.
Nuk ka asnjë sqarim zyrtar, si e qysh u morr vendimi, kush e propozoi e para, Ankaraja apo Tirana, dhe se ç’precedentë ndihmonin për rastin, për ta bërë atë sa më të pranueshëm për logjikën e masës.
Por gjithsesi ka një lexim në distancë për memorialin, vendosjen e tij në Tiranë. Më shumë se human, është një gjest politik që ka brenda një simbolikë e mesazh. Sepse patjetër që ekziston një lidhje, ndonëse e tërthortë, mes atij realiteti dramatik me viktima në Turqi e realitetit shqiptar, pasi e akuzuara kryesore si iniciuese dhe organizatore e grushtit të shtetit është grupimi okult FETO, ndryshe e Gylenit, e cila pas Turqisë, një seli të saj e ka në Shqipëri.
Eshtë i njohur fakti i një instalimi të fuqishëm të elementit gylenist në Shqipëri, me tentakula deri në media, politikë, biznes e institucione shtetërore. Dhe, pas korrikut 2016, i gjithë korpusi i i tyre shenjohet si një rrezik potencial në mbajtjen e shtetit në gjendje minimi. Eshtë bash kjo, që me gjasë ka detyruar Ankaranë dhe Tiranën për vendosjen e një memoriali viktimash, mu në zemër një kështjelle gyleniste, siç në fakt gjendet në kryeqytetin shqiptar. /tesheshi.com/