Kreu i komunës së Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri, i dorëzoi presidentit Thaçi një peticion me 15.000 nënshkrime ku kërkohet bashkimi i qytetit të ndarë që pas lufte.
Më parë, peticioni iu dorëzua dhe kreut të Kuvendit, Kadri Veseli.
“Ju e dini shumë mirë se qyteti i Mitrovicës mbahet i ndarë në mënyrë të padrejtë dhe kundër vullnetit të qytetarëve të saj të ndarë, me faktin se 15.000 njerëz janë zhvendosur nga veriu. Ata janë refugjatë në qytetin e tyre”, tha Bahtiri.
Sipas tij, “pjesa veriore e qytetit po zhvillon struktura paralele dhe kjo situatë duhet të ndryshojë”.
Nga udhëheqësit e të gjitha institucioneve, përveç kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, ai tha se mori mbështetje për bashkimin e qytetit.
“Dua t’i bëj të qartë kryeministrit dhe ministrit të Pushtetit Lokal që Mitrovica është unike dhe do të mbetet e bashkuar”, tha Bahtiri.
Ideja e bashkimit të Mitrovicës është bërë aktuale në një kohë kur kryetari i pjesës veriore, ku jetojnë shumica serbët, dha dorëheqjen pas futjes së tarifave 100 përqind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja.
Më parë, Kuvendi Komunal i Mitrovicës miratoi një vendim për unifikimin e qytetit, por që Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Pushtetit Lokal e konsiderojnë të paligjshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën. /tesheshi.com/