Në samitin e Grupit të Shtatë (G7) në Pulia, wshtw shfaqur diferenca e mprehtë i disa aktorwve botwrorw në lidhje me mungesën e referencës, në projekt-konkluzionet, për të drejtën e abortit.
Dje, të enjten në mbrëmje, presidenti francez Emmanuel Macron tha se “i vjen keq që fjala abort mungon në tekstin e konkluzioneve”, duke shtuar se “ka ndjeshmëri të ndryshme”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u përgjigj menjëherë, duke nënvizuar se “nuk ka arsye për të shkuar në luftë për çështjet për të cilat është arritur një marrëveshje prej kohësh”. “Më duket krejtësisht e gabuar, në kohë të vështira si këto, që disa të bëjnë fushatë duke përdorur një forum të vlefshëm si G7”, shtoi Meloni.
Sipas raporteve, presidenca italiane e rotacionit të Grupit të Shtatë vendeve të industrializuara thuhet se po argumenton se nuk ka nevojë për një referencë të re për të drejtën e abortit, sepse ajo ishte tashmë në tekstin e konkluzioneve të samitit të G7 që u zhvillua një vit më parë në Hiroshima.
Shtypi italian, megjithatë, shton sot se e gjithë kjo çështje konsiderohet e rëndësisë parësore nga qeveria amerikane, e cila thuhet se kërkon një raport të ri, të plotë dhe se konkluzionet e takimit janë ende duke u formuluar. /tesheshi.com/