Nga Blendi Gashi
Kriza politike në Kosova ka hyrë në një fazë të re, duke bërë që përplasjet të zgjerohen edhe në mes partive në pushtet.
Është Lista Serbe, grup ky paralamentar që jo rrallë herë ka treguar fuqinë ndaj pushtetit aktual, që fundmi ka prishur marrdhëniet me dy partnerët e koalicionit, PDK-në e LDK-në, e gjitha për shkak të miratimit të ligjit për “Trepçën”.
Dhe, “Srpska” e drejtuar nga Slavko Simiq, ka ndjekur rrugën ë ndjeku kohë më parë opozita kosovare, pra ka braktisur punën në institucionet e vendit.
Zv. kryeministri i Kosovës nga radhët e serbëve, Branimir Stojanoviq, ministri i Administrimit dhe Pushteti Lokal, Ljubomir Mariq dhe ministri për Komunitete dhe Kthimi, Dalibor Jevtiq kanë ngrirë pjesëmarrjen e tyre në punën e qeverisë së Kosovës, me arsyetimin se u është mohuar e drejta për të marrë pjesë në gjetjen e një zgjidhje të drejtë dhe të arsyeshme për kombinatin “Trepça”, dhe në vendime të tjera.
Poashtu, edhe deputetët e Listës Serbe kanë pezulluar punën në Kuvendin e Kosovës.
Këtë situatë e re politike e krijuar nga deputetët serb, është një telashe e re për qeverinë “Mustafa”, sidomos lidhur me riprocedimin e Demakraiconit me Malin e Zi në Kuvend për ratifikim.
Prej tash, qeveria e Kosovës nuk mund të llogarisë në votat e deputetëve serbë, dhe rrjedhimisht, koalicioni qeverisës në këtë situate nuk i ka 81 vota për të çuar përpara këtë version të shënimit të vijës kufitare me malazezët.
Përkundër se “Srpska” zyrtarizoi largimin nga ekzekutivi dhe organi legjislativ, autoritetet në Prishtinë thonë se nuk kanë marrë “asnjë shkresë zyrtare nga partnerët në koalicionin qeverisës, Lista Serbe për vendimin e tyre për “ngrirje të pjesëmarrjes në institucionet e vendit”.
Zëvendësministri i pushtetit lokal në qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj,thotë se nuk kanë marrë informacioni nga Lista Serbe për ngrirje të marrëdhënieve me institucionet e Kosovës.
“Nëse kjo është e vërtetë, ne duhet të marrim diçka me shkrim prej tyre, e pastaj do të ulemi të bisedojmë dhe të shohim si do të merremi me këtë çështje”, thotë Gecaj.
Ja ç’thonë analistët për përplasjet mes PDK-së e LDK-së me “Srpska-n”
Analistët në vend kanë mendime të ndryshme rreth largimit të ministrave serb të paktën përkohësisht nga qeveria dhe deputetëve nga kuvendi.
Analisti politik, Nexhmendin Spahiu, mendon se situata e krijuar tregon se është koha e përshtatshme për të shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për të dalë nga shumë telashe që ka vendi.
“Tani çarjes pushtet opozitë i shtohet edhe hendeku me deputetët serbë dhe tema e vështirë për ‘Trepçën’. Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të prodhonin një situatë të re. Do ta përqendronin vëmendjen nga temat nga ku burojnë shumë telashe”, thotë Spahiu, për tesheshi.com.
Njohësi i rrethanave politike në vend, Albinot Maloku, thotë se si pasoj e koalicionit aktual, Lista Serbe krijoi hapësirë të madhe veprimi, duke qenë i vetmi subjekt i jetës politike brenda Kosovës i cili është qasur dyftyrësisht ndaj çdo procesi.
“Largimi i tyre nga punimet e Kuvendit, nuk është ndonjë gjë që do të duhej tërhequr edhe aq shumë vëmendjen e qytetarëve të vendit. Faktikisht, nëse janë urdhëruar, siç ndodh zakonisht me ta, nga Serbia që të largohen nga punimet e Kuvendit, këtë rast do ta shfrytëzojë si kushtëzim për ndonjë interes vet Serbia, e nëse kanë dalë krye në vete kthehen prapë”, shprehet Maloku, për tesheshi.com.
Ndërsa, analisti tjetër, Fadil Lepaja, nuk e sheh shumë problem largimin e ministrave serbe nga qeveria, pasi thotë se nëse ata vendosin të largohen, mund të pritet që koalicionit qeverisës t’i bashkohet ndonjë parti opozitare.
Ai thotë se mohimi në politikën kosovare nuk ka kuptim afatgjatë, por mendon se është çështje interesash afatshkurtëra.
“Mendoj se humbja e votave serbe mund të kompenzohet me vota të tjera, dhe se kjo është e kalkuluar. Ligji për ‘Trepçën’ ka krijuar një afri në mes një pjese të opozitës dhe koalicioni, dhe mbase kjo mund të vazhdojë edhe për tema të tjera. Edhe ky koalicion ishte i paraprirë nga një mohim kategorik i çfardo mundësie për bashkëqeverisje me PDK, nga ana e LDK. Një bashkëpunim i mundshëm pozitë me një pjesë të opozitës edhe Për FSK-në dhe kështu dalëngadal zgjerimi i koalicionit bëhet i pritshëm”, thotë Lepaja.
Ndryshe, zv. kryeministri i Kosovës nga radhët e serbëve, Branimir Stojanoviq ka theksuar sot se pas vendimit për të ngrirë pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë në institucionet e Prishtinës, kanë nisur një seri konsultimesh me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe se pritet që të merret një vendim në nivelin e Listës Serbe. /tesheshi.com/