Asambleja e re e Partisë Socialiste do të zgjedhë kupolën e re drejtuese, pra Kryesinë dhe Sekretarin e Përgjithshëm, përkatësisht numrin dy të partisë.
Është ky një post edhe tradicional, që u hoq nga Edi Rama në vitin 2009, por që u rikthye sërish në statutin e ri.
Sipas të gjitha gjasave, do të jetë Gramoz Ruçi, njeriu që personifikon historinë 25-vjeçare të PS-së, ai që do të rimarrë rolin e numrit dy, pra zëvendësit të Edi Ramës, duke qenë njëherësh edhe kreu i grupit parlamentar.
Gramoz Ruçi ka qenë i pari Sekretar i Përgjithshëm i zgjedhur në vitin 1992, dhe realisht njeh në detaje detashmentin e bazës së socialistëve si askush tjetër, veçanërisht në bastionet e fuqishme të majta të jugut të Shqipërisë.
Ka lëvizur si deputet nga Tepelena në Sarandë, për të përfunduar më pas në qarkun e Fierit.
Në qershorin e vitit 1991 kur u themelua PS-ja, proces që u bë në kongresin e 10 të PPSH-së, Gramoz Ruçi nuk ishte në katërshen drejtuese.
Fatos Nano pasohej nga Servet Pëllumbi, Spiro Dede, Ismail Lleshi dhe Namik Dokle. Pas shpartallimit të PS-së në zgjedhjet e vitit 1992, Nano thirri kongresin e parë të PS-së që u zhvillua në qershor të atij viti.
Në këtë kongres, Gramoz Ruçi ishte padyshim figura kyçe e gjithë strukturës që drejtoi gjithçka në formësimin e udhëheqësisë së re socialiste. Aty , “labi i sertë” u zgjodh “de fakto” numri dy, megjithëse “de jure” ishte profesor Pëllumbi.
Gjatë gjithë periudhës së opozitës, Ruçi drejtoi makinën organizative socialiste, megjithëse në vitin 1996 u arratis në Greqi në mënyrë klandestine pasi Berisha shpalli se do ta arrestonte në prag të zgjedhjeve të 26 majit të atij viti.
Në vitin 1996, pikërisht nga kongresi me dy pjesë, Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Rexhep Mediani, një professor i fizikës, i cili erdhi si zgjidhje kompromisi pas përplasjes ndërmjet Fatos Nanos i mbyllur në burgun e Bënçës dhe katër nënkryetarëve.
Por Meidani u zgjodh President i Republikës një muaj pas fitores së PS-së në votimet e 29 qershorit 1997.
Zëvendësuesi i Rexhep Meidanit në postin e Sekretarit të Përgjithshëm ishte Pandeli Majko, i cili e mbajti këtë karrige deri kur konkurroi me Fatos Nanon për postin e kryetarit të PS-së, ndërkohë që ishte kryeministër.
Gramoz Ruçi rikthehet sërish si numri dy pas marrjes së frenave të partisë nga Fatos Nano, i cili nuk shkoi gjatë dhe u konfliktua sërish me tepelenasin.
Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005, Fatos Nano, në prezencën e Gramoz Ruçit dhe Namik Dokles, (njëri Sekretar i Përgjithshëm i PS-së dhe njëri zv.kryeministër) jep dorëheqjen nga të dy funksionet, si kryetar qeverie dhe shef i PS-së.
Në tetor të 2005-ës zhvillohet kongresi i jashtëzakonshëm i socialistëve.
Edi Rama shpall platformën e tij për kryetar të PS-së. Platforma hidhet në votim dhe rrëzohet.
Në këtë moment pritej që Rama të largohej përfundimisht. Por Gramoz Ruçi, i qetë, mbron Ramën dhe iu thotë delegatëve të kongresit që ai jep dorëheqjen si Sekretar i Përgjithshëm, pasi platforma ishte përgjegjësia e tij.
Këtu kongresi ndryshoi rrjedhë dhe Edi Rama fiton ndaj Rexhep Meidanit për kryetar të PS-së.
Sekretar i Përgjithshëm zgjidhet Pandeli Majko, i cili konkuron me Kastriot Islamin.
Majko do të japë më pas dorëheqjen nga kreu i grupit parlamentar për t’i lënë vend Ben Blushit, i cili nuk e gëzoi shumë, pasi në 2007-n dha dorëheqjen kur Bamir Topi u bë president me gjashtë votat socialistësh “të blerë”.
Në kongresin e vitit 2009, Edi Rama, suprimoi postin e Sekretait të Përgjithshëm duke i dhënë postin e numrit dy, pikërisht Gramoz Ruçit, i cili u zgjodh Kryetar i Asamblesë Kombëtare dhe njëkohësisht shef i grupit parlamentar; post që e mban deri ditën e sotme, kur pritet që rrethi vicioz i pushtetit brenda PS-së të rrotullohet sërish brenda vetes por pa u hapur më tej.
Përgatiti: Y.Pata – /tesheshi.com/