Përmbytjet e ndodhura në Laç, zona e Kurbinit, janë përfshirë menjëherë në fjalorin politik.
Me anë të një postimi në FB, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar mbi situatën e rënduar në këtë qytet duke e çuar direkt “gjuhën atje ku dhemb dhëmbi”, tek qeveria.
“Këto janë investimet e rilindjes: me shiun e parë qytetet përmbyten, shtëpitë e bizneset po ashtu. Qytetarët janë braktisur nga kjo qeveri e papërgjegjshme që kujtohet për ta vetëm për t’ju marrë votën. Fatkeqësisht përmbytjet mbrëmë shkaktuan një tjetër viktimë, ashtu si edhe një vit më parë. Duke shprehur ngushëllimet për familjen e Kol Mengës që humbi jetën tragjikisht për shkak të përmbytjeve, i bëj thirrje qeverisë të lërë propagandën dhe të marrë në dorë situatën për të ndalur çdo fatkeqësi tjetër dhe për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të goditur”, shkruan Basha.
Përmbytjet në zonën e Kurbinit, ku përfshihet Fushë-Kruja, Laçi e Lezha, janë diçka e zakonshme në çdo kohë reshjesh të dendura. Por ato që kanë provokuar më së shumti debatin politik, janë të Shkodrës ndodhur pak vite më parë, kur opozita e atëhershme, sot në pushtet, akuzonte qeverisjen e Berishës për asnjë masë të marrë në argjinatura, por dhe për shkatërrimin e kanalizimeve në vite. /tesheshi.com/