Qyteti amerikan i Baltimorës, në veri të Uashingtonit, u bë të hënën arenë e përplasjeve mes protestuesve dhe policisë pas funeralit të Freddie Gray-it, personit me ngjyrë që humbi jetën ndërsa gjendej i arrestuar.
Protestuesit hodhën gurë dhe shishe drejt policisë, e cila nga ana e saj u përgjigj me gaz lotsjellës.
Freddie Gray, 25-vjeçari me ngjyrë, vdiq më 19 prill, një javë pasi qe arrestuar, nga dëmtime të rënda kurrizore.
Vdekja e tij u bë shkak për protesta gjatë gjithë fundjavës, në të cilat u arrestuan një numër protestuesish e mbetën të lënduar disa policë.
Guvernatori i Merilandit, Larry Hogan, shpalli të hënën vonë gjendjen e jashtëzakonshme në Baltimorë.
Në ndihmë të policisë rajonale kanë ardhur trupa të Gardës Kombëtare, ndërsa në një universitet lokal u pezullua mësimi nga frika e përshkallëzimit të dhunës.
Në qytet ka nisur nga dita e sotme ndalimqarkullimi prej orës dhjetë të mbrëmjes deri në pesë të mëngjesit. Ndalimqarkullimi do të jetë në zbatim për një javë të tërë, por mund të vijojë dhe më tutje nëse është e nevojshme.
Një sërë vrasjesh të njëpasnjëshme të njerëzve me ngjyrë nga policia amerikane muajt e fundit kanë krijuar tension, dhe shpesh protestat në qytetete të caktuara janë kthyer në përleshje të ashpra me policinë. /tesheshi.com/