Nga Bujar M. Hoxha
Shqipëria e mjerë, përveç armiqve të njohur, fitoi edhe një armik të panjohur, i cili bijtë e saj të paditur ditë për ditë po i helmon e po i prish…
Në vrullshmërinë e viteve të para të shekullit të 20-të, gjatë formësimit dalëngadalë të vetëdijes kombëtare, krahas shqetësimeve të tjera dhe idealeve në pritje për t’u përmbushur, shqiptarin nisi ta mundojë siç duket dhe një fenomen i huaj për të: përdorimi i pijeve alkoolike.
Gazeta e botuar mes viteve 1908-1910 me drejtues Mid’hat Frashërin, “Lirija”, ka një shkrim në numrin e saj të 42-të të kushtuar pikërisht kësaj të keqeje që po përhapej mes shqiptarëve të asaj kohe. Artikulli mban datën dhe vendin, Elbasan, 7 prill 1909, me nënshkrimin, Rras’ e Bardhë.
“Përdorimi i pijeve alkolike dhe keqvetija” është titulli nën të cilin shkruhet fillimisht: “Sot njerëzit e mençur të vendeve të qytetëruara i morën vesh fort mirë dëmet e mëdha që vijnë nga pijet dehurake; mësonjësit më të përmendur… për t’i dhënë fund, a me i pre yryshin kësaj pijeje, nga e cila pillet keqvetija, pillen sëmundje të dukshme e të padukshme, zunë e po shkruajnë fletore të dobishme, bëjnë mbledhje diturake, edhe mendohen për shpëtimin e njerëzisë… Nga dëmet e mëdha quhen edhe vrasjet që i shohim nëpër fletët e përditshme, të cilat shumë herë bëhen prej të rinjve të dehur e pijanecë.”
Nga ajo që lexohet më tej në artikull lihet tëkuptohet se përdorimi i gjerë i pijeve alkoolike prej shqiptarëve nuk ka qenë një dukuri e mëhershme, por e saponisur atëbotë: “Në këto kohë të fundit, rakia e vera, e të gjitha pijet e tjera alkoolike, mjerisht po përdoren edhe këtu në Shqipëri si në vendet e tjera. Shqipëria e mjerë, përveç armiqve të njohur, fitoi edhe një armik të panjohur, i cili bijtë e saj të paditur ditë për ditë po i helmon e po i prish, duke u ndryshuar trupat e bukur dhe vetitë e mira… Ne shqiptarët, të cilët sot kemi nevojë të madhe për përparim, virtytet e vetitë tona, me të cilat shpresojmë të naltohemi e tëqytetërohemi, për fat të keq po prishen me anë të kësaj pije, që miqësohet me njeriun e nuk ndahet kurrë. Sa dëshpërim, e sa keq na vjen, kur shohim djaloshët shqiptarë nëpër pijetoret (mejhanet) të dehen darkë e drekë e të prishin vetitë e tyre…”
“Sa keq na vjen,” vazhdon shkrimi, “kur shohim burra të martuar të lënë ditën punojëtoret (dyqanet) e tyre vetëm e të shkojnë në pijetore të helmohen dhe të prishin një pjesë të fitimit të asaj dite; kështu, edhe natën të lënë fëmijët vetëm, pa ngrënë bukë e pa gjumë, sepse do të presin atin e tyre: sa mëkat i madh! Shumë keq na vjen kur shohim disa punëtorë të vegjël e dorëhollë të cilët marrin fitimet e përditshme dhe i prishin në pijetoret pa i kujtuar fëmijët në kanë bukë a s’kanë… Sa keq na vjen kur dëgjojmë e shohim se ai në vatrën e shtëpisë e mëson çunin e vogël të pijë raki a verë, a i jep shishen dhe e mëson të hyjë e të blejë raki në pijetore. Këto të gjitha vijnë nga padija…”
Mendësisë se rakia, si dhe çdo pije tjetër alkoolike, mund të pihet me masë (!!!) i kushtohen këto rreshta në artikullin e shkruar këtu e një shekull më parë: “Keq na vjen edhe për ata njerëz që thonë: rakinë lypset ta pimë aq sa të mos dehemi, ta pimë sa me çelë zemrën, a sa me lehtësuar të treturën e bukës. Në këtë rast, siç na e thotë dituria e sëmundjeve të përgjithshme, mund t’u them se sëmundjet më të rënda, që na vijnë prej rakisë, me këtë mënyrë nisen. Ta dinë fort mirë se rakia e të tjerat vërtet pak nga pak nisen, por në fund shtohet, e bëhet një nevojë e pandarë, një ushqim i përditshëm, edhe kështu çdo njeri kurrë shpëtim prej saj nuk ka. Ata njerëz që pinë e miqësohen me rakinë me një fjalë quhen armiqtë e vetvetes…”
Se ç’u bën pija dehëse atyre që e përdorin atë shpjegohet kësisoj: “Trupi i atyre… vjen në një shkallë që s’mund të durojë as një sëmundje të vogël… në qoftë se janë edhe të martuar, atëherë fatbardhësia fëmijare e tyre është e shuar fare, sepse fëmijët që do të pjellin do të trashëgojnë ndjenjat mentare të prindërve të tyre, domethënë, do të jenë gati vetiu të përdorin pijet alkoolike.”
Dy paragrafët e fundit të këtij shkrimi përkujtues, për të këqijat e pijeve dehëse dhe për ruajtjen e vetive të mira të shqiptarit, janë këshillues: “Prandaj, pra, ne shqiptarët që sot gjendemi në një shkallë të poshtme të përparimit, nuk lypset të kemi këto veti të liga; por për me përparuar sa më shpejt, çdo shqiptar e çdo atë e ka detyrë të shenjtë herën e parë të shikojë sundimin e shtëpisë, të përkujdeset për fatmirësinë e fëmijëve të vet, e t’i mësojë me veti të mira… Kurrë të mos harrojmë se udhërrëfyes i çdo pune është mirëvetija, të cilën e fitojmë nga diturija.”
“Njeriu sot të mos gënjehet dhe nga pasja, sepse keqvetija, sikurse e thamë dhe sipër, njeriut i humbet fatmirësinë e jetës, d.m.th., në qoftë i pasur, e prish. Shkurt, njeriu s’mund të fatmirësohet as nga pasja po nuk qe i virtytshëm e vetijemirë.”
Mesazhet janë të qarta, për më tepër shumë aktuale, sidomos në rreshtat e fundit. Pjesët e shkrimit janë dhënë këtu jo në shqipen e gazetës, por në të sotmen, për ta lehtësuar leximin; megjithatë, fjalë të caktuara janë lënë pa ndryshuar, për të mos i humbur atij origjinalitetin. /tesheshi.com/