Në mediat e Kosovës po përflitet një shtyrje e mundshme e takimit të 2 shtatorit në Uashington mes krerëve të Prishtinës dhe Beogradit, përkatësisht kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiç. Por arsyet se pse mund të ndodhë kjo nuk janë dhënë.
Nga ana tjetër, zyra e shefit të qeverisë së Prishtinës e ka rrëzuar një pretendim të tillë.
“Nuk jemi në dijeni për shtyrje të takimit. Po të kishim ndonjë informacion të tillë do e bënim publik”, ka thënë Xhavit Beqiri, këshilltari i kryeministrit Avdullah Hotit.
Kujtojmë se një takim i ngjashëm, jo me protagonist Hotin por Thaçin, do mbahej më 27 qershor. Por pak ditë para se të realizohej, ku investitor kryesor ishte i dërguari Grenell, Specialja në Hagë njoftoi një aktakuzë për presidentin e Kosovës, gjë që çoi në anullimin e takimit, një goditje e rëndë kjo për administratën amerikane. Efekti politik qe ai që Dialogu, nga Uashingtoni u transferua në Burksel.
E kjo ndodhi ndërsa Brukseli ankohej se Uashingtoni e kishte anashkaluar deri në injorim në çështjen e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. /tesheshi.com/