Alfred Peza është një prej njerëzve-shenjë në gazetarinë shqiptare të pas 90-ës. I ardhur nga provinca në metropol, me një pragmatizëm e ego të lindur, ai arriti t’i imponohej tregut dhe të shndërrohej në pak vite ndër më të paguarit drejtues mediash. Dihet tashmë pasuria e krijuar prej tij prej një profesioni që në Shqipëri rrallë ndodh të të bëjë zengin, por që një pjesë, një elitë, ku veçon dhe Peza, e bëri. Në vitin 2013, ai i bashkohet ekipit të Rilindjes që bëhej gati të vinte në pushtet, duke u konsideruar si një prurje – pse blerje, me gjuhë merkatoje – që i jepte më shumë potencë ekipit Rama.
Dhe gjatë fushatës elektorale, nga goja e Pezës do dilnin një set premtimesh nga më të çuditshmet, me një naivitet tronditës, që sido-sido, edhe pse pa asnjë përvojë politike të mëparshme, të qënit afër botëkuptimeve të politikës, afër frymës së saj, nuk do e kishin lejuar që të lëshonte në eterin e ngarkuar të fushatës, asoj premtimesh që do mbeten monumentale për nga shkalla e absurdit.
Peza u drejtohet votuesve të Peqinit, zonë ku kandidonte, duke iu premtuar ca mrekulli lidhur me ekipin e Shkumbinit. Pra, e ngushtonte të gjithë sensin e jetës peqinase, kuptimin dhe arsyen e ekzistencës së saj, te ajo çfarë i priste pas ardhjes së PS-së në pushtet, lidhur me futbollin lokal. Edhe për faktin se ishin zgjedhje të përgjithshme e jo lokale – të paktën, më e justifikueshme do ishte nëse premtime të tilla do dilnin nga një kandidim si kryetar bashkie – gjuha me të cilën do duhej t’i drejtohej elektoratit, duhej të ishte për aspekte shumë më të ndjeshme se sa futbolli. Një qytet, një komunitet, mundet të mos e kënaq ekipi lokal dhe kjo parimisht nuk ka të bëjë me politikën e se kush është në pushtet, por është në të drejtën e tij të shijojë një pushtet të drejtë, me drejtues kreativë e të zellshëm; një mbrothësi ekonomike, e një shtet prej shërbëtori të përulur. E gjersa këto mungonin te performanca prezantuese e Pezës, më pas dhe 4-vjeçari tij politik si deputet, ishte diçka për t’u harruar; edhe nga fakti se ato soj premtimesh u përrallizuan me kohën e sot ngjajnë si humor-krizë. Por më dhimbshme në ato lloj premtimesh, ishin reagimet e masës që e dëgjonte. Pas çdo fraze, salla përfshihej në ilaritet lumturues. Ishte bash ai raport i drejtë në thënien se “çdo popull meriton qeverisjen që ka”.
Sot, më shumë se 5 vjet pas atyre premtimeve, Shkumbini edhe lajm normal futbolli s’është. Ngjan si një përgjigje që koha i ka dhënë një marrëzie të dyanshme të tipit parti-popull. /tesheshi.com/
https://www.facebook.com/BrryliBroadway/videos/227586534575817/?t=4