‘Belul Gjeraqina’, personazhi famshëm, por i padukshëm i humorit të viteve `80, intepretuar në një monolog mjeshtëror nga Fuat Boçi, vështirë të shuhet nga kujtesa e atij brezi, që jo aq për nostalgji, e ka të skalitur thellë në memorie, edhe si përjetim emocional. E tej nostalgjisë, ajo pjesë mund të shërbejë dhe si leksion për krijues e qëmtues fabulash të arrira, ku më tepër se të qeshësh, të bëjnë të mendohesh e të thuash: Mos! Mos jam dhe unë si ai?! Jo si Beluli, sigurisht, por si ai që thotë: Doni më për Belulin?!
Kulla, është interesante të mendosh se, një ndër kryeveprat artistike që fshikullon vesin njerëzor të egocentrizimit – e thënë ndryshe, rrotullohu e rrotullohu tek vetja do të ndalosh – është krijuar në një kohë me presion ideologjik, jo shumë të përshtatshëm për të tilla kumte…
Në jetë ne i shohim të tëra llojet e dashurive: dashuri për nënën, për gruan, vëllain, motrën, shokun, … Por asnjë dashuri nga këto nuk krahasohet me dashurinë për vetveten! Kjo është një dashuri që nuk braktiset kurrë. Është e vetmja dashuri që nuk e kërcënojnë tradhëtitë… Unë ju falenderoj për vlerësimin e guximit, por ky krijim humoristik nuk kishte atëherë nevojë për guxim, se nuk i prekte as qimen ideologjisë enveriane. E gjithsesi, nga të gjitha artistët e socrealizmit vetëm ne shkrimtarët e gjinive të humorit ishim më pak të ngarkuar me vrasjet e ndërgjegjes krijuese, ngaqë nevojat e regjimit për edukimin e shtetasve kishin shumë pika takimi, më shumë se sa u ofroheshingjinive të tjera. Ne ishim të lirë të përndizeshim në përqeshjet e veseve njerëzore, ne mund të godisnim lehtë karrierizmin, burokracinë, dyfaqësinë, servilizmin. Penës sime nuk i lejohej as nga censura as nga unë vetë që të prekja tabutë, simbolet e diktaturës vetë Enver Hoxhën, gjë që u kërkohej nga mëngjezi në darkë, këngëve, skulpturave, tablove dhe poemave. Dhe këtë ndalesë ne nuk e kishim me dekrete. Ne mund të satirizonim këdo, mjaft që të mos e ngrinim “tytën e armës” më shumë. Por për të mos e bërë atë marrëzi, ata ne nuk kishim nevojë as për këshilla.
Si ndodhi që “A doni më për Belulin?” e krijuat, u nisët nga një personazh real, apo nga një dëshirë për të qëmtuar një dobësi njerëzore, e për ta ngritur në art?
Ky nuk ishte një fenomen specifikisht i lidhur me kohën. Vesi i ujitjes së bimës së rëndësisë vetjake është jetëgjatë dhe është po aq i gjendur edhe tani, nëmos më shumë, pikërisht, tani, sidomos në mëmëdhe! Kjo e shpjegon dhe suksesin e pashterrur të monologut që e sjell aq bukur në skenë dhe ekran aktori që nuk njeh mplakje, Fuat Boçi… Nuk e pata vështirë për ta gjetur fenomenin dhe bazën letrare. Përfytyroni: edhe një i afërmi im, që ishte ende 16 vjeç, – nja 10 vjet më i ri se unë, – kur, duke dashur të ndiqte shembullin tim më paraqiti njëherë një tregim të shkurtër mbi një ngjarje reale, në të cilin tregohej se si kryetari i Frontit të lagjes, pat qenë ftuar në klasë nga mësuesja kujdestare, në kuadrin e veprimtarive për një përvjetor të Marksit. Ai, i gjori, nuk do të mundte të zbërthente kurrë vlerat dhe trashëgiminë ideologjike të profetit të komunizmit. Nuk dinte të fliste as për “Kapitalin” as për “Manifestin.” Dhe vërtet ai e shpenzoi tërë orën e mësimit duke treguar një ngjarje nga lufta, ku vetë ai, i ftuari, pat qenë angazhuar në një atentat kundër një spiuni fashist. Ai e paskësh zënë tërë orën e mësimit duke përshkruar vështirësitë e aktit patriotik: kapërcimin përmbi muret me qerpiçë të shtëpive tiranase, shpëtimin e shokut të vet me të cilin qenë ngarkuar për misionin, dredhitë e përdorura për të gënjyer fashistët… Dhe kur përfundoi, ca sekonda para ziles së shkollës, nuk harroi të thoshte se të gjitha këto heroizma, ai nuk do t’i kishte bërë po të mos kishin qenë mësimet dritëdhënëse të Marksit! (i afërmi im nuk u bë shkrimtar, tregimi i shkruar ashtu ishte i rrezikshëm dhe u gris e, mjerisht, pati vetëm një lexues, mua, që më la një përshtypje që nuk do ta harroj)… E gjeje pra, për ditë fenomenin për të cilin më pyesni… Pilo Peristeri puntorëve të Kombinatit të Autotraktorëve u fliste për shokun Enver, për jetën e udhëheqësit në Korçë dhe tregimi i tij katandisej për jetën e Pilos, po në Korçë! Këtë veti degjenerimi e kishin më shpesh, sidomos, tregimet gojore të luftës, mbledhjet komemorative për heronjtë. Në këtë fushë të luftës, në fakt, operonte dhe idhulli im Qamil Buxheli, në tregimin që e shënoj unë si frymëzim për “Belulin” tim. Por unë u përqendrova te vesi dhe karakteret e mi ishin nga radhët e shkrimtarëve
Pse Beluli, nuk do të shkonte emër tjetër?
Beluli! Emri nuk fsheh ndonjë nënkuptim të veçantë. Ishte një zgjidhje e imja e rastit.
Pse Fuat Boçi si gjetje regjisoriale?
Edhe kjo është një histori më vete… Monologun unë e kam shkruar në Sarandë në verën e vitit 1980, në kohën që isha thirrur atje për të ndihmuar estradën vendase dhe mikun tim regjisor, të ndjerin Thoma Milaj, në përgatitjen e një libreti me humorin e Qamilit. Ata në Sarandë e ushtronin vazhdimisht këtë praktikë: thërrisnin shkrimtarë, kompozitorë e artistë të tjerë që të bënin në det pushimet tok me familjet e tyre dhe, ndërkohë, të mundnin krijonin diçka për Shtëpinë e Kulturës dhe trupën e artistëve vendas. Aty më lindi ideja që tregimin e Buxhelit “Stenograma e një fjalimi” ta merrja si bazë për një krijim skenik me një karakter joshës. Unë libretin e bëra, por nuk dij arsyen përse pasi ika unë, asnjë nga aktorët nuk e zuri materialin për bishti!.. Më pas këtë material ia ofrova disa aktorëve, por si duket ata nuk arritën ta kapin energjinë artistike të kësaj vepërze. Unë zemrohesha dhe mezi prisja që të kisha rast ta realizoja vetë. Kur ky rast erdhi, unë nuk ia dhashë Fuatit, në fillim. Mua më tërhiqte shumë personaliteti i aktorit Vladimir Muzha, i cili ishte në trupën e teatrit dhe unë e binda, e josha me këtë copë satirike të merrte pjesë në një shfaqje të estradës. (Është mëkatë që ai krijim i bukur aktorial i Muzhës ka mbetur të kujtohet vetëm në këto rreshta. Dhe në përgjithësi ai artist mund të kishte lënë më shumë kontribut në fushën e humorit.) Ndërkohë e dublova edhe me Fuatin që ishte i organikës bazë të estradës dhe të dy aktorët punonin në një lloj gare. Për hir të së vërtetës duhej thënë se Muzha sillte më shumë interes edhe si fytyrë e re në bursën e aktorëve të varietesë edhe për portretin e temperamentin e tij të veçantë. Monologu i Belulit u shfaq në premierë nga Lad Muzha dhe ai i bëri pesë shfaqjet e para me një sukses jashtëzakonisht të bujshëm. Ndërkohë Muzha luante atëherë edhe tek spektakli i suksesshëm “Dy Krisma në Paris” rolin e bukur të avokatit të Avni Rustemit dhe kur do të bëheshin filmimet e vitit të ri 1981, ai ndodhej me atë shfaqje në Gjirokastër e Sarandë. E pritëm në televizion, e pritëm… Unë isha edhe autor e regjisor i atij spektakli dhe i sugjerova që avokatinnë ato qytete mund ta luante mrekullisht dublanti Meqë Ladi preferonte të mos e ndërpriste kënaqësinë e rolit të avokatit, atëherë unë vendosa për ta filmuar me Fuatin, i cili në atë vit të ri i pat filmuar edhe 3-4 role të tjerë të goditur. Ishte materiali i fundit që filmuam ngaqë pritëm gjatë për aktorin kryesor. Me shumë gjasa Ladi nuk ishte i ndërgjegjshëm për vlerat e interpretimit të tij. Ai interpretim nuk u pa, nuk i mbeti në fushën e ekranit dhe unë kam një therje në zemër për këtë shkak… U bënë mbi 40 vjet: ai ma le fajin mua, unë qortoj atë, por asgjë nuk e ndreq më fatin e atij interpretimi… Dhe për hir të së vërtetës, nga ky episod më shumë i humbur ka dalë miku im, Lad Muzha. Sepse unë, sidoqoftë, jam i lumtur që ai monolog ka hyrë në fondin e artë të televizionit dhe të estradës së Fierit, me një interpretim gjithsesi të vlertë, që u bë dhe një nga margaritarët e rrallë në zinxhirin e gjatë të interpretimeve të Fuat Boçit.
Dihet – më saktë, dihet prej atyre që janë afër aktrimit – se gjatë skalitjes së rolit, prodhohen dhe batuta të reja, ta pashkruara në libret. Ndodhi kështu me Belulin?
Kjo ndodh zakonisht në interpretimet në grup, ose në dialogje, ku shkakun e shkrepjes së improvizimit ta jep partneri. Në monologje sundon më shumë disiplina. Dhe pjesës për të cilën flasim, asgjë nuk i është shtuar as nga aktorët e as nga unë vetë. Thjesht u realizua teksti që u shkrua për trupën e Sarandës.
Nuk e di pse mendoj që, edhe pse në një kontekst të bezdisshëm ideologjik, humori i asaj kohe qe më fabulesk se ky i sotmi – fjala vjen, ‘Belul’ më që të bën të reflektosh mbi veten, vështirë të prodhohet. A është vërtetë kështu?
Pyetja është mjaft serioze. Kjo ka të bëjë dhe me politikat kulturore të shtetit, i cili artin skenik e ka “prapa listës”. Në tërë këta vite, të gjitha llojet e qeverive nuk e kanë rudhosur kurrë ballin për nivelet në të cilat dergjen që të gjitha gjinitë e arteve: filmi, teatri, muzika dhe krijimtaria në fushën e humorit. Sa për ilustrim, jepen çmime vjetore për narrativën, poezinë, publicistikën, gazetarinë… Jepen edhe për përkthimet, dhe as që duket se do të kujtohet njeri për të stimuluar shkrimtarët e humorit dhe satirës. U kam dërguar letra personale dy ministrave të kulturës e u kam sugjeruar miqësisht të kujdeseshin për një çmim vjetor për krijimtarinë humoristike. Shumë nga ne kolegët e kësaj fushe jemi në një mendje se mund të vendosej një çmim me emrin “Qamil Buxheli”, të shkrimtarit që mbetet pa dyshim ylli më i ndritshëm në qiellin e satirës dhe humorit, si një krijues modern, dinamik, një shkrimtar nga më prodhimtarët e më të angazhuarit në problemet sociale të kohës. Asnjë përgjigje! Asnjë shenjë mirëkuptimi!… Megjithatë sot në Shqipëri punohet mjaft. Tani, në krahasim me kohën kur punonim ne, prodhohet më shumë për skenën dhe sidomos për ekranin. Dhe natyrisht do të ketë edhe skarcitete më shumë se ç’kishin prodhimet e kohës sonë. Edhe ne kishim pjesë të paarrira, por sot ne kemi avantazhin e pluhurit të harresës, e duke pasur aleate nostalgjinë, ne identifikohemi me majat, dhe kulmet arritjeve e tona. Tani ka aktorë më shumë dhe bile masivisht shumë të talentuar. Tani ka rekuizitë më të bollshme (kostume, makiazhe, kontorno të kushtueshme, grupe baleti) ka më shumë shfaqje, ka më shumë para dhe ata që i japin këto para nuk e kanë problem cilësinë. Nuk është se ata s’i ze gjumi për nivelin cilësor! Përjavshmëria është ajo që ata ruajnë me rigorozitet. Detyrimet estetike, përmbajtja ideore dhe trashëgimia kulturore që do të përcjellin, për ta e kanë vendin në fund. Megjithatë unë kam shpresë se edhe nga kjo kohë do të mbeten vlera të qëndrueshme.
Dhe e fundit, cilit ves do t’i kushtonit një ‘Belul’ tjetër, nga ata që sot ta shpifin?
Demagogjisë! Më dridhen duart nga dëshira për t’u fokusuar në këtë ves, në këtë makroves! Miniera është plot me mineral: ndërrimi i pozicioneve nga një parti në tjetrën, me përligjjen se këto kafshimputhje politike bëhen për të mirën e përgjithëshme; lëvizjet nga ekstremi në ekstrem për nevojat korruptive, të mbështjella të tëra me ambalazh demagogjik; aleanca partish, të tëra për të mirën (Sigurisht!) e atdheut dhe të integrimit me Europën!… O Zot, çfarë vitesh të trishtë erdhën në vend të atyre viteve që prisnim! Vite here-herë të përgjakshëm, vite të mbrapshtë dhe më së shpeshti të dhimbshëm. Por, ama, akoma, vazhdimisht qesharakë! /tesheshi.com/