Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Konstandinos Kutras.
Duke hedhur poshtë akuzat e shtetit fqinj, PDIU shprehet se Idrizi u zgjodh nënkryetar i Kuvendit në bazë të një marrëveshje politike-qeverisëse.
“Në lidhje me cilësimet politike, do donim të thonim se programi i PDIU-së, pozicionimet e saj politike nuk kanë kurrfarë ‘perceptimi irredentist, të lidhur direkt me të kaluarën e tmerrshme fashiste dhe naziste të Europës’. Përkufizime të tilla kanë në bazë një falsifikim historik prej të cilit ne kujtonim se Greqia e sotme, e qeverisur nga e majta me histori të përbashkët lufte me partizanët tanë, do të ishte e çliruar”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.
PDIU i konsideron kërcënim deklaratat e zyrtarit grek lidhur me pasojat e një votimi sovran në Parlamentin shqiptar për miqësinë, bashkëpunimin dhe integrimin europian të Shqipërisë.
“Nuk ka asnjë pjesë të programit, të aksionit politik të PDIU-së që është kundër këtyre vlerave të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian. Ne jemi për respektim të plotë nga të dy palët, të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit Reciprok midis dy vendeve. Edhe Rezoluta për Çështjen Çame, si çështje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, është shkruar në këtë frymë europianiste. Miqësinë, bashkëpunimin, stabilitetin, integrimin europian të Shqipërisë e kërcënon jo PDIU, por Agimi i Artë, pinjollët e të cilit i bëjnë homazh fashizmit dhe nazizmit”, përfundon reagimi.