Partia Demokratike ka bërë publik ditën e sotme atë që vetë e ka cilësuar si skandali i tenderit të OSHEE-së për vendosjen e matësave të rinj, tender në të cilin, sipas PD-së, kryeministri Edi Rama dhe oligarkët e tij, vjedhin 6 miliard lekë.
“Sipas tregut, vendosja e një matësi një fazor kushton 10 mijë lekë. Ndërsa vendosja e një matësi trefazor kushton 20 mijë lekë. Pra në rastin e shpenzimit maksimal, instalimi i matësave do të shkonte 1 miliardë lekë, për 50 mijë matësa, sipas kostos së tregut. Por Çela i Ramës, ka dhënë 7 miliardë lekë. Ku shkojnë 6 miliardë lekë?”, – tha nga selia e PD-së Ina Zhupa.
Ajo shtoi se këto miliarda shkojnë në xhepat e Ramës e oligarkëve të tij. Sipas Zhupës, ky skandal thellohet edhe më shumë, kur vendosjen e këtyre matësave po e bëjnë punonjësit e OSHEE.
“Punonjës që paguhen me taksat tona, ndërkohë që paratë i merr klienti i Edi Ramës që ka fituar tenderin. Pra fitimi i tij rritet edhe më shumë. Hisja që ndajnë oligarkët zmadhohet edhe më tepër”, – tha ndër të tjera demokratja Ina Zhupa. /tesheshi.com