Partia Demokratike hedh akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se fundjavat e tij janë të zhytura në luks, pavarësisht se vendin e ka mbuluar varfëria dhe mjerimi. Në një deklaratë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani thotë se kryeministri, i shoqëruar nga kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi po shpenzojnë paratë e shqiptarëve për pushime të shtrenjta.
“Rama me Gjushin janë nisur për një fundjavë qejfi dhe relaksi në Milano. Punët i kanë në terezi. Miliona euro të zhvatura këtij vendi i kanë tashmë në xhepat e tyre, miliona të tjera i shpenzojnë çdo ditë për luks në vila, zyra, makina, udhëtime me avionë, hotele, para të gjakut të shqiptarëve të varfër që Rama të hapë ekspozita dhe të ndjehet edhe artist. Ndërkohë që harliset me Gjushin në Milano, Rama i kthen shpinën shqiptarëve që i ka varfëruar, i ka lënë pa punë, i ka zhytur në drogë e krim, i ka dëshpëruar deri aty sa mendojnë vetëm si të ikin nga ky vend. Me Gjushin në Milano, lideri ballkanik dhe botëror, kalon edhe hidhërimin që i shkaktoi jo-ja gjermane për hapjen e negociatave për antarësimin në BE”, përfundon Ristani./tesheshi.com