“Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë së shtetit të fillojë menjëherë procedim pasuror ndaj Edmond Begos dhe ndërmjetësit të tij Taulant Balla”, deklaroi sot Gazmend Bardhi, këshilltari ligjor i grupit parlamentar të PD-së, nga selia e Partisë Demokratike.
Në fjalën e tij, Bardhi tha se prej gati një jave Partia Demokratike ka sjellë prova, të bazuara në dokumenta zyrtarë se trafikanti i drogës, Edmond Bego, u shndërrua në biznesmen të fuqishëm pas miqësisë familjare që lidhi me Taulant Ballën.
“10 milionë euro të përfituar nga punimet në rrugën Tiranë Elbasan. 1 miliard lekët për ndërtimin e nënstacionit të Librazhdit .3 miliardë lekët në disa punë të tjera publike kryesisht në zonën elektorale të Taulant Ballës, në Elbasan “, tha ai
Më tej, Bardhi shton se rreth 14 milionë euro nga buxheti i shtetit janë fakte të mjaftueshme që prokuroria të nisë kryesisht hetimin për të provuar se kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka bërë rolin e sekserit për shumëfishimin e pasurisë së trafikantit të drogës”.
“Shqiptarët duhet të mësojnë sot se përfitimi i miliona eurove nga miku i dënuar për trafik droge i Taulant Ballës është bërë në kundërshtim të hapur me ligjin për prokurimin publik”, shprehet ai.
Po ashtu, Bardhi shton se Taulant Balla, ka detyrimin t’u shpjegojë shqiptarëve i cili prej ditësh hesht. “Prokuroria ka sot detyrimin të fillojë menjëherë procedim pasuror ndaj Edmond Begos, si dhe procedim penal për të hetuar tenderat publikë që ai ka fituar, kush ka ndërmjetësuar me organet shtetërore që t’i japin mikut të Taulant Ballës tendera dhe miliona euro, në kundërshtim të hapur me ligjin”, thekson Bardhi. /tesheshi.com/