PD pretendon se qeveria gati e ka bërë të pamundur të ashtuquajturën “pagë lufte”, ndryshe pagesë e papunësisë, duke e mbingarkuar me procedura.
“Për të përfituar ndihmën financiare, qeveria u kërkon punonjësve e-mailin, pra adresën e postës elektronike dhe numrin e celularit. Shqetësimi i shprehur nga ana e kompanive është se shumica e punëtorëve nuk kanë adresë e-maili. Madje një pjesë e tyre nuk kanë as numër celulari personal”, tha Eno Bozdo nga selia blu.
“Pa plotësimin e këtyre të dhënave, aplikacioni qeveritar për marrjen e pagesës së papunësisë bllokohet. Askush nuk përfiton dot asgjë. Kjo do të thotë që ta bësh të pamundur dhënien e ndihmës apo, në rastin më të mirë, ta vështirësosh atë në maksimum.
Ky është një nga ato raste që tregon se qeveria merr vendime aty për aty, të pamenduara dhe në kaos, duke i shkuar pas krizës, jo duke i paraprirë asaj. Siç tregojnë këto dy dokumenta zyrtarë, në datën 26 mars, kërkesa për emailin dhe numrin e telefonit nuk ekzistonte. Ajo u shtua më pas pa asnjë argumentim”, shtoi zyrtari demokrat. /tesheshi.com/